E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arritjet dhe risitë e arsimit profesional

Nismat dhe politikat për zhvillimin e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP), të cilat po vijojnë intensivisht, pritet të sjellin risi të tjera në këtë sistem të arsimit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka planifikuar për vitin 2009 e në vijim një sërë masash për të stimuluar atraktivitetin e shkollave profesionale. Këtë vit ministria ka vendosur dhënien e bursave për të gjithë nxënësit që fillojnë në vitin e parë të këtyre shkollave, pavarësisht kritereve ekonomike dhe notës mesatare. Ndërkohë që është gati plani edhe për ndërtimin e 6 shkollave të reja tekniko-profesionale. Sipas MASH, synohet edhe zgjerimi i kapaciteteve të 70 shkollave ekzistuese, në të cilat do të përmirësohen laboratorët, baza prodhuese e repartet e praktikave profesionale. Programi i MASH për arsimin profesional për periudhën 2009-2013 përcakton çeljen e degëve të reja dhe shtrirjen e arsimit profesional të agrobiznesit, sidomos në zonat rurale. Aktualisht, ministria po përpiqet të kryejë një reformë sistemike në arsimin profesional, krahas përpjekjeve për të nxitur si zgjerimin, ashtu dhe përmirësimin e cilësisë nëpërmjet modernizimit të kurrikulave, kualifikimit të mësuesve dhe mbështetjes me bazë materiale. MASH ka përfunduar dhe po finalizon procedurat e miratimit të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, e cila bën përshtatjen e sistemit tonë edukativ me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, hap ky shumë i rëndësishëm për njësimin e çertifikatave dhe diplomave të nxënësve tanë me ato të moshatarëve të tyre evropianë, dhe njëkohësisht një garanci për një kërkesë-ofertë aftësish profesionale të ngjashme si në tregun rajonal e evropian. Po ashtu, dhe me të njëjtin qëllim, MASH së shpejti do të kalojë për miratim në qeveri edhe ligjin “Për Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën Shqipërisë”. Në këtë mënyrë, në vitin e ardhshëm shkollor do të zbatohet për herë të parë dhe struktura e re e shkollave profesionale, e cila ka përqasje me atë të shkollave profesionale të vendeve të përparuara evropiane. Kjo strukturë është më fleksibël dhe më e përshtatur me dinamikën e zhvillimit të tregut dhe njëkohësisht le të hapur mundësinë e vazhdimit të shkollës së lartë. Sistemi i reformuar i AFP bart konceptin e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe mundëson akumulimin, transferimin dhe njohjen e krediteve për arritjet e fituara me forma dhe mënyra të ndryshme, duke u përshtatur gradualisht me standardet dhe nivelet e kualifikimit të pranuara nga Bashkimi Evropian. Në këtë mënyrë do të mundësohet edhe realizimi i qëllimit të MASH për tërheqjen në arsimin profesional të 40% të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm.


Fonde të dyfishuara në katër vjet


Fondet për arsimin profesional gjatë katër viteve të fundit thuajse janë dyfishuar, bën të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas të cilës, nga 1.7 miliardë lekë që ishte ky fond në 2005, sot llogaritet në 2.6 miliardë lekë. Ndërkohë, fondet për çdo nxënës të këtij arsimi janë rritur nga 640 USD në 1.310 USD, në vit. Këto investime, argumenton MASH, tregojnë se arsimi profesional është dhe mbetet një ndër prioritetet e politikave në fushën e arsimit. Për t’i bërë shkollat profesionale më tërheqëse dhe për zgjerimin e kapaciteteve të tyre në katër vitet e fundit janë rikonstruktuar ose zgjeruar 42 shkolla dhe 26 konvikte. 12 shkolla të tjera do të rikonstruktohen me buxhetin e këtij viti. Në 10 shkolla profesionale në vitin e ardhshëm shkollor, do të hapen repartet për profesionin e hidraulikës, me pajisje të reja, me kurrikul të re, me kualifikime sipas modeleve me të përparuara. Ndërkohë që brenda tre vitet e ardhshme do të ndërtohen edhe 6 shkolla të tjera tekniko-profesionale. Vitin e ardhshëm shkollor do të zbatohet për herë të parë dhe struktura e re e shkollave profesionale në përputhje me standardet evropiane dhe interesin e çdo nxënësi për t'u kualifikuar sipas nevojës së tregut apo për të vijuar studimet e larta.


Grup sektorial për arsimin dhe formimin profesional


Një grup sektorial po ndjek ecurinë e reformave në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP), ndërkohë që një herë në tre muaj ky grup do të koordinojë punën për shpërndarjen me efikasitet të fondeve për zhvillimin e mëtjeshëm të këtij sistemi. Qëllimi strategjik i reformës është krijimi i një sistemi unik dhe cilësor të AFP, i aftë për të kontribuar në zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive profesionale. Për këtë qeveria e mbështetur në rekomandimet e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, ka hartuar dhe miratuar Strategjinë Sektoriale të Punësimit dhe Formimit Profesional, me synim përmirësimin e indikatorëve të punësimit dhe formimit profesional, duke përpunuar politika me efikase. Synimi kryesor eshte ulja e nivelit të papunësisë në nivelin e vendeve të BE-së, gradualisht deri në vitin 2013. Në bazë të strategjisë evropiane të punësimit dhe udhëzimeve në këtë drejtim do të synohet punësimi i plotë, përmirësimi i cilësisë dhe produktivitetit në punë si dhe forcimi i kohezionit social. Objektivi i qeverisë shqiptare për rritjen e pjesëmarrjes në arsimin dhe formimin profesional ka gjetur mbështetjen e Grupit Donator DACH–PLUS, që prej vitesh kontribuojnë në përmirësimin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri. Në sistemin e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP), funksionojnë 42 shkolla. Në 28 prej tyre ka vetëm degë të arsimit profesional, të tjerat janë të bashkuara me shkolla social-kulturore, të mesme të përgjithshme dhe arsim të detyruar. Gjithsej, në shkollat profesionale dhe ato social-kulturore studiojnë 19.831 nxënës, të cilët përbëjnë rreth 19% të nxënësve që frekuentojnë arsimin e mesëm. Arsimi profesional zhvillohet në 4 fusha kryesore, elektro-mekanike, ekonomike, ndërtim-mobilieri, bujqësi, (agro-biznes, pyje, veterinary).


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›