E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e fundit Durrësi priti turistët e parë


Durrësi ka pritur dhe përcjellë ditët e fundit qindra turistë që kanë mbërritur nga vende të ndryshme të Evropës. Qyteti antik, tashmë bën pjesë në guidat më të mira turistike të globit dhe harta e vendeve të interesuara për të njohur Shqipërinë dhe historinë e saj zgjerohet vazhdimisht.


Ballkanasit që kërkojnë të njohin fqinjët


Znj. Magda Athanasiadhu, e cila drejton agjencinë turistike “Marios” (Greqi) tha se “një grup prej 53 turistësh kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Durrës pasi kanë ndaluar në qytetet e Korçës, Pogradecit dhe Tiranës”. “Është një udhëtim mjaft i këndshëm, pasi na jep mundësinë të njohim vendin tuaj, me të cilin na lidh historia e lashtë dhe ajo e sotme”-shprehet Anastasiadhu duke shtuar se "turistët janë të kënaqur jo vetëm me qendrat historike, muzetë dhe monumentet arkeologjike, por mbi të gjitha me cilësinë e shërbimeve turistike”. Sipas saj, personeli i hoteleve ku kanë qëndruar dhe guidat turistike janë profesionistë mjaft të mirë “Pas një muaji do të jemi përsëri këtu, dhe paketa jonë do të pësojë një zgjatje kohore”- shton znj. Magda Athanasiadhu. Turistët grekë kryesisht të moshave 50-60 vjeç që kanë hyrë nga pika kufitare e Kapshticës do të vazhdojnë përsëri turin e tyre drejt jugut dhe do të vizitojnë edhe qendrat arkeologjike dhe historike të Ardenicës e Apolonisë, e më pas në rrugëtimin drejt Kakavijës, do të ndalen edhe në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë. Arlindi që punon si menaxher i hotelit, thotë se që nga mesi i muajit prill janë akomoduar në këtë hotel katër grupe me rreth 150 turistë grekë. Por nuk kanë munguar edhe grupet nga Sllovenia, Gjermania, Anglia apo Austria. “Ne vijmë nga Kavalla-shton një prej turisteve, Dhimitra S. "Jemi njohur me shumë shqiptarë që punojnë në vendin tonë. Janë njerëz punëtorë dhe të ndershëm dhe paketa turistike që na u afrua është një mundësi shumë e mirë për ta njohur Shqipërinë nga afër”. përfundon ajo


Nga Franca me kroçerë


Dy ditë më parë në Durrës “zbarkuan” 188 turistë nga Franca. Eksperti i turizmit, Edmond Basho, i cili ka bashkëpunuar me agjencinë turistike franceze thotë se kroçera “Adriana 3” që ishte nisur nga Nica (Francë) bëri një ndalesë të parë në qytetin e Sarandës. “Butrinti, kalaja e Gjirokastrës dhe bukuritë e bregdetit jugor ishin në qendër të ditës së parë në Shqipëri, ndërsa më pas gjithçka u zhvendos në Durrës, i cili është një qytet i pashmangshëm në guidat turistike" aqaron zoti Basho. Muzeu arkeologjik, amfiteatri i lashtë, kalaja e Krujës, kryeqyteti shqiptar janë ndalesat, që plotësojnë interesat në rritje të turistëve. Shërbimi hotelier dhe lëvizja me autobuzë komodë tashmë “gjendet” me lehtësi në të gjitha qytetet e vendit. Sipas Basho, rritja e numrit të turistëve dhe e ofertave evropiane për vendin tonë i dedikohet përmirsimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore. “Në të gjitha ndalesat portuale në Sarandë, Durrës dhe Vlorë në ofrojmë për turistët me kroçera lëvizje mjaft komode drejt të gjitha pikave të afërta muzeale apo turistike” thotë ai.


Izraelitët: Do të kthehemi përsëri


Amir Kolben ka ardhur nga Tel Avivi në Durrës në krye të një grupi kërcimtarësh. Këto ditë kompania që ai drejton ka marrë pjesë në Festivalin e Dancit modern dhe kontemporan që organizohet për të katërtin vit radhazi në qytetin bregdetar. Artistë nga Italia, Greqia, Maqedonia, Anglia, Sllovenia e Kanadaja kanë “ngjitur” në skenë performancat e tyre, ndërsa kanë marrë nga qyteti bregdetar mbresat më të mira. “Kompania jonë teatrore ka nëntë artistë” - thotë koreografi që sot do të rikthehet në vendlindje, së bashku me kolegët e tjerë që vijnë nga Jeruzalemi dhe Tel Avivi, por edhe nga Australia e largët. Ai thekson se “Shqipërinë e njihte vetëm nga leximet, por pas katër ditëve intensive përballë shikuesve në Durrës dhe në Akademinë e Arteve në Tiranë gjithçka është ndryshe”. “Do të kthehemi me siguri këtu, pasi kemi bërë shumë miq”pohon i sigurt ai.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›