E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Në Shqipëri asnjë rast me virusin H1N1

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të deklaruar dhe as të dyshuar deri tani me virusin  H1N1, të  njohur si gripi i derrave, bëri të ditur sot ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë një takimi me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë. Ndërkohë, sipas ministres së Shëndetësisë, "qeveria ka aprovuar dhe krijimin e Komitetit Ndërministror, i cili pret informacionin nga Ministria e Shëndetësisë dhe do të ndërhyjë nëse do të jetë e nevojshme".  Sipas saj, "dy ditët e fundit (2 dhe 3 maj) në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ të Rinasit kanë mbërritur 3155 udhëtarë, prej të cilëve 2198 shtetas shqiptarë dhe 957 të huaj nga Europa, Amerika, etj". Prej këtyre, 102 janë nga Amerika.  "Të gjithë udhëtarët nga jashtë vendit janë marrë në inspektim nga Shërbimi Anti-epidemik i Rinasit dhe nuk ka asnjë të dyshuar me virusin H1N1", tha ministrja Godo. Sipas saj, në vend situata vazhdon  të jetë e qetë dhe nën kontroll. "Në vlerësimin e situatës në botë ne do të rishikojmë strategjinë tonë nëse do të ripërshtasim diçka, apo do të mbetemi në masat e deritanishme", theksoi znj. Godo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›