Kabineti "Berisha": Jetimët, mbështetje më të madhe me ndihmë ekonomike

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka përfunduar ndryshimet në Ligjin “Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore”, përmes të cilit për herë të parë parashikohet mbështetja me ndihmë ekonomike më të madhe edhe për jetimët. Me qëllim rritjen e mbështetjes për fëmijët jetimë, ministria ka parashikuar ndryshime në Ligjin “Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore”, që parashikon për herë të parë mbështetjen me ndihmë ekonomike edhe për jetimët që nuk kalojnë nga qendrat rezidenciale, por mbahen nga të afërm të tyre, pasi vlerësohet se rritja nga të afërmit dhe pranë komunitetit ndikon pozitivisht në përgatitjen dhe mirërritjen e tyre. Sipas legjislacionit në fuqi, fëmijët jetimë deri në moshën 15 vjeç, trajtohen në institucionet publike të përkujdesit shoqëror. Atyre që, pas kësaj moshe, ndjekin arsimin e mesëm profesional, u garantohet bursë e përmuajshme dhe sistemohen në konviktet e shkollave. Jetimët që nuk vazhdojnë arsimin e lartë, me largimin nga institucionet, trajtohen me pagesë të ndihmës ekonomike nga njësia vendore deri në momentin e punësimit. Sipas Ministrisë së Punës, pagesa, edhe pse më e lartë se masa e përcaktuar për kryefamiljarët, është e pamjaftueshme për sigurimin e jetesës dhe prioritet i të gjitha strukturave mbetet krijimi i mundësive për punësim, nëpërmjet mundësimit të formimit profesional falas dhe mbështetjes për punësim nëpërmjet programeve që zbatohen çdo vit për nxitjen e punësimit. Problem për këtë kategori mbetet strehimi pas largimit nga qendrat e përkujdesit që, sipas Statusit për Jetimët, duhet të mundësohet nga njësitë vendore.
...