Frika e kandidimit, deputetët e PS-së kërkojnë besimin e bazës
Kriteri i vendosur nga Rama është lidhja me bazën
Deputetët intensifikojnë takimet me elektoratin
Zgjedhjet e 2009-ës po afrojnë dhe në PS ka nisur të ndihet ankthi për ata që duan të vazhdojnë karrierën politike në Kuvend dhe atyre që duan të hyjnë për herë të parë në këtë sallë. E pasi kryetari, që mendohet se do të ketë dhe peshën më të madhe në hartimin e listës, ka thënë se kriter përcaktues do të jetë baza e partisë, ata kanë rendur që të forcojnë lidhjet me bazën. Burime në selinë rozë bëjnë të ditur se shumica e deputetëve në fundjavë do të jenë në takime me elektoratin e zonave përkatëse. Kjo ndodh fill pasi kryesocialisti Edi Rama deklaroi se kriteret për emrat që do të përfshihen në listë, do të jetë puna e gjithsecilit prej tyre, puna me bazën e partisë dhe në Parlament. Sigurimi i mbështetjes së bazës është një test i rëndësishëm në këtë garë me shumë emra të rinj që u importuan në PS nga ardhja e Ramës në krye të saj. Kështu, deputetët aktualë që po tentojnë të fitojnë një mandat të tjetër për të qëndruar në Parlament. nuk mund të kënaqen me ndonjë buzëqeshje miqësore apo rrahje shpatullash nga kryetari. Atyre u duhet një alibi për të bindur kryetarin se meritojnë të jenë në atë listë të mbyllur që do të përcaktojnë dhe përfaqësimin politik të PS-së në Parlamentin e ri.
Fuqia e bazës
Në një parti politike fuqia e elektoratit të besuar ose, siç njihet ndryshe, anëtarësisë së partisë, është një element kyç në prag të fushatave elektorale. Jo pak herë kryetarët kanë pasur konflikte me degët e partisë kur kanë tentuar të importojnë figura që s’ishin të njohura në bazë dhe s’kishin kontribut në parti. Kjo gjë vlente shumë edhe për faktin se sistemi mazhoritar favorizonte ata kandidatë që kishin lidhje të forta me zonën ku do të kandidonin. Por këtë herë është pak ndryshe situata. Sistemi proporcional me lista të mbyllura favorizon kryetarin e partisë në përcaktimin e emrave që do të garojnë dhe roli i bazës ka pak ose s’ka fare peshë për shkak se elektorati do të votojë për partinë dhe jo për emrin që do ta përfaqësojë në Kuvend. Gjithsesi, duke qenë se Rama e ka cilësuar lidhjen me partinë si një element kyç, deputetët aktualë kanë vendosur ta shfrytëzojnë këtë armë për të mbijetuar në elitën e re socialiste pas zgjedhjeve të 2009-ës.
Konkurrenca
Por duket se konkurrenca për të hyrë në atë listë ose, për të thënë më mirë, në 40 emrat e parë të asaj liste, është e fortë. Themi 40 emrat e parë, pasi ata do të kenë mundësitë më të mëdha për t’u bërë deputetë. Konkurrenca mes gjeneratës së vjetër socialiste, që Rama e gjeti në grupin aktual parlamentar dhe njerëzve të rinj të besuar të tij, kryesisht ekspertë të fushave të ndryshme, është reale dhe e fortë. Ndryshe nga deputetët, këtyre të rinjve u duhet të punojnë me performancën publike dhe punën për hartimin e programit të partisë për të fituar vendin në krye të listës. Por, edhe deputetët që kanë rendur të marrin certifikatën e mbështetjes së anëtarësisë, e dinë se Rama ashtu siç arriti të ndryshonte përbërjen e dy organeve kryesore të partisë, kryesisë dhe asamblesë, do ta bëjë këtë dhe me grupin parlamentar.
Islami
Pak ditë më parë në një intervistë për “standard”, një ndër drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, Kastriot Islami, duke pranuar konkurrencën mes dy grupeve, u shpreh se në demokracitë liberale fiton më i afti. Islami rrëfen se është i gatshëm të japë kontributin e tij të mëtejshëm, ndërsa kur bëhet fjalë për “të rinj” apo “të vjetër” në politikë, Islami ka një përgjigje: “Të gjithë, pavarësisht moshës fizike apo politike, duhet të përballen në konkurrim e përzgjedhje vetëm mbi bazën e aftësisë, vlerave e kontributeve”, - shprehet ai.
Manjani
Ndërkaq, Ylli Manjani, një ndër figurat më aktive, por të reja në këtë parti, shprehet se në Partinë Socialiste ka ambicie që ai e konsideron legjitime, por jo rivalitet. Ai pranon se ndihet pjesë e projektit politik të partisë, por këtë e bën me dëshirë, pa menduar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Manjani shprehet se ndarja të rinj dhe të vjetër nuk ka kurrfarë kuptimi, duke shtuar se diskriminim është ndarja në burra e gra, demokratë e socialistë etj.