Starova: Nuk shkrihemi me Partinë Demokratike
Liberaldemokratët vendosin përfundimisht të mos shkrihen me PD-në. Kryetari Arian Starova vuri dje në dukje se PBLD-ja, si një parti e qendrës së djathtë, ka pasur kontributin e saj në politikën shqiptare që në vitin 1994, ndërsa një pjesë e liderëve të saj që në vitin 1990. Starova shtoi se ''ne si parti kemi rrugën tonë të veçantë, të ndryshme nga partitë e tjera dhe me zgjedhësit e saj''.
Në gjykimin e Starovës, “në dy vitet e fundit Bashkimi Liberal Demokrat është përfshirë në një ristrukturim të thellë në të gjitha strukturat, të cilat lidhen jo vetëm me synimet tona ambicioze në lidhje me zgjedhjet e vitit 2009, por edhe si parti politike që duhet të japë kontributin e saj për demokracinë në vend”. Kryetari i PBLD-së deklaroi më tej se ''ne besojmë që zgjedhjet e ardhshme do të jenë vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme, pluraliste po jo në dëm të partive të vogla''. ''Ne kemi sot një qëndrim zyrtar të partisë se do të dalim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 në një koalicion me bazë të gjerë me PD-në, bashkëpunim që duhet të jetë afatgjatë, siç edhe ka qenë deri me sot'', - tha z.Starova.