E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi fton investitorët italianë në Shqipëri



“Fiera del Levantes”, Topi takon Berluskonin

Topi: Shqipëria ofron mundësi reale për investime

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, e konsideron Shqipërinë si një treg të rëndësishëm për prodhimet italiane. Kjo iu bë e ditur Presidentit Bamir Topi, i cili mori pjesë dje në hapjen e edicionit të 72-të të “Fiera del Levantes” në Bari të Italisë, me ftesë të presidentit të këtij panairi, Kosimo Luçinjola. Z. Topi ftoi investitorët italianë të rrisin akoma edhe më tepër praninë e tyre në Shqipëri. Duke folur dhe për rëndësinë e Korridorit 8, ai vuri në pah kushtet dhe mundësitë shumë të mira që ofron vendi ynë me rritjen e tij ekonomike dhe sistemin e favorshëm fiskal për investime të huaja. Gjatë ceremonisë së hapjes së “Fiera del Levantes”, Presidenti Topi u takua me Kryeministrin Berluskoni, i cili në fjalën e tij përshëndeti posaçërisht praninë e kreut të shtetit shqiptar, duke u shprehur: “E konsiderojmë Shqipërinë si një treg të rëndësishëm për prodhimet tona”. Gjithashtu, kreu i shtetit u takua dhe shkëmbeu mendime dhe ndau pikëpamjet edhe me Kryeministrin maqedonas, Nikolas Gruevski, me Presidentin e Provincës së Puljas, Vinçenco Divela, me kryetarin e Bashkisë së Barit, Mikele Emiliano, me presidentin e “Fiera del Levantes”, Kosimo Laçirinjola si dhe me mjaft personalitete, drejtues dhe përfaqësues të spikatur të biznesit italian dhe mesdhetar. Pasi përuroi pavijonin e titulluar në mënyrë mjaft kuptimplote “Mes Shqipërisë dhe Puljas”, Presidenti Topi pati një takim të veçantë me presidentin e Rajonit të Puljas, Niki Ventola, dhe autoritet e larta puljeze, gjatë të cilit u shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë, vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe historike mes dy popujve tanë. Në këtë takim kreu i shtetit, pasi vuri në pah arritjet dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë, nënvizoi nevojën për intensifikim të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare-ekonomike në fusha si energjitika, turizmi, bujqësia etj. Presidenti rajonal puljez, Vendola, theksoi ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve nga ato fillestare të asistencës dhe dhënies së përvojës, në marrëdhënie të qarta partneriteti në fusha të ndryshme si ajo shëndetësore, të energjisë, të turizmit e bujqësisë, në shkëmbimet arsimore dhe kulturore dhe në modernizimin e infrastrukturës energjitike dhe portuale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›