E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: “Dushkun” mund ta ndalë Kodi Zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaroi dje se fenomeni i “Dushkut” mund të ndalohet vetëm nga mënyra se si do të hartohet Kodi i ri Zgjedhor. Gjata tha se sistemi i ri zgjedhor, ai proporcional-rajonal, është një sistem demokratik që prodhon qeverisje dhe përfaqësim politik, por me rëndësi mbeten modalitetet e Kodit Zgjedhor, të cilat nuk duhet të anashkalohen. Ai u bëri thirrje partive politike, që reformën zgjedhore ta përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që koha të punojë edhe për administrimin e zgjedhjeve. “Ka shumë subjekte, të cilat ashtu siç mund të dëmtohen nga sistemi, ashtu edhe mund të përfitojnë në mënyrë abuzive, për të hyrë në qeveri apo grupe parlamentare”, tha Gjata, duke kujtuar rëndësinë që ka Kodi Zgjedhor. “E rëndësishme është në këtë rast se sa jep përfaqësim politik. Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet, sa do ta përfaqësojë popullin. Çdo sistem që është përdorur, qoftë ai me koalicion, qoftë ai pa koalicion, mazhoritar apo proporcional, ka dhënë përfaqësim politik, por deri në një farë mase, pasi ka pasur edhe ai të metat e veta”, - shtoi ai për sistemin e ri elektoral.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore është duke përgatitur detajet dhe pritet që javën e ardhshme të përcaktohen edhe modalitetet kryesore të Kodit Zgjedhor. Pritet të saktësohet përpilimi i pjesës tjetër të ligjit të ri elektoral, me çështje që prekin formulimin e Komisionit të Qendror të Zgjedhjeve, të qendrave të votimit, të numërimit të votave etj. Njëkohësisht një çështje tjetër që pritet që të zbardhet është ajo e financimit të partive politike dhe të fushatave elektorale. Lidhur me këtë, ka disa propozime siç është ajo e vendosjes së një tavani të vlerës së financimit. Deri në këto momente janë përcaktuar afat zgjedhore, të cilat do të jenë muajt e pranverës dhe të vjeshtës.

Komisioni për Kodin Zgjedhor ka mandat deri në fund të shtatorit 2008. Puna kryesore zhvillohet nga grupi i ekspertëve ku të dyja partitë kryesore, PD dhe PS, janë të përfaqësuara me nga një pjesëtar. Në këtë grup propozohet dhe debatohen opsionet përpara se të shkojnë në KKZ. Çështjet e miratuara deri më tani nga komisioni dhe që nuk janë më pjesë e debateve politike janë si parimet e përgjithshme dhe struktura e Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve dhe mënyra e hartimit të tyre, periudha zgjedhore dhe mënyra e caktimit të datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore dhe fletët e votimit dhe shpërndarja e tyre, caktimi i QV dhe i komisioneve të nivelit të dytë të administrimit të zgjedhjeve dhe procedura e votimit. Mbeten akoma për t'u diskutuar nga Komisioni i Kodit Zgjedhor edhe disa çështje të tjera, që kanë të bëjnë me mënyrën e kompozimit të administratës zgjedhore, regjistrimin e koalicioneve dhe subjekteve zgjedhore, mënyrën e ndarjes së mandateve dhe procedurat e ankimit dhe pavlefshmërisë së zgjedhjeve.

Grupi i ekspertëve po punon për të gjitha këto çështje dhe është tërësisht e mundur që të kemi të gjitha draftet e pjesëve të veçanta, si dhe projekt-kodin në tërësi, brenda muajit shtator. Për disa nga çështjet e mësipërme ekzistojnë edhe variante të ndryshme, të cilat do të marrin kohën e duhur, duke u shqyrtuar si nga grupi i ekspertëve ashtu edhe në komision, organ që ka atributin ligjor dhe politik për të miratuar versionin final.

Për sa u përket disa çështjeve që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor, PS i qëndron pikëpamjes që ligji zgjedhor duhet të reflektojë parimet e përgjithshme të vendosura në Kushtetutë, dhe që parashikon zgjedhjen e deputetëve nga zona zgjedhore shumëemërore, duke shmangur devijime të tjera që mund të çojnë në deformim të vullnetit të zgjedhësve, siç edhe ka ndodhur më parë. Për sa i përket administrimit, po shqyrtohen praktikat më të mira ndërkombëtare të sistemeve të ngjashme zgjedhore, si dhe rekomandimet specifike për Shqipërinë. Një gjë vlen për t'u theksuar, që administrata e re zgjedhore synohet të jetë më e vogël në numër, më e qartë dhe e kufizuar në kompetenca, dhe më pak e politizuar në vendimmarrje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›