Vrasja e letargjisë së heshtjes
Nga Alban BALA
Nëse dikush qëndron në mëngjes në Urën e Lanës, pranë Bllokut, do të shohë dhjetëra vajza që vrapojnë në zyrat ku punojnë. Mjafton t’i shohësh si janë veshur, për të kuptuar se sa pisk e kanë punën. E njëjta ndjesi të prodhohet nëse qarkullon pranë shkollave të larta - pse jo, edhe të mesme - gjatë orëve të mësimit.
Shpërfaqja seksuale përmes veshjesh që nuk përkojnë me asnjë etikë profesionale, befasoi edhe A. A. Gill, i cili e stigmatizoi këtë gjë në një shkrim tek “The Guardian”, çka prodhoi ndër shqiptarë një histeri kolektive online, por asnjë reflektim konkret.
Mbi këtë truall, ngjarja e ministrit Pango erdhi në Shqipëri si një dush i ftohtë, që rrëqethi gjerësisht publikun vetëm ngase ngërthente në vete efekte politike.
Por si ngjarje, ajo ka prodhuar shumë më tepër pasoja sesa kemi arritur të debatojmë gjer sot.
E para, ajo zgjoi një vetëdije të re në trupin e lodhur të shoqërisë sonë, e cila prej kohësh po dëshmonte indiferencë për këtë dukuri. Të nesërmen e ngjarjes - unë jam i sigurt se - shumë njerëz e panë veten më kujdesshëm në pasqyrë dhe ishin më të mprehtë ndaj syrit të atyre që kanë përditë përballë. Z. Pango ia doli në një ditë të na zgjonte dhe shpërkundte arsyet kolektive të bashkëjetesës ndërgjinore dhe të cilësisë së saj në Shqipëri.
Bashkë me mbërtheckat “e poshtra”, ish-ministri Pango rihapi në tryezën publike kuadrin juridik mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet e punës në Shqipëri, duke përfshirë ngacmimin seksual dhe etikën e veshjes së administratës.
Përtej analizës ku mbaron jeta publike dhe nis ajo private, praktikave procedurale të punësimit publik, faktit nëse kemi parashikuar apo jo në Kodin Penal ‘mitmarrjen seksuale’, debatit ‘ç’pjesë të punëve të zyrës mund të kryejë në shtëpi një titullar’ etj., rasti Pango rizgjoi debatin moral “a e njihnim ne këtë njeri?” dhe “a pritej kjo gjë prej tij?” Asnjë përgjigje të panjohur nuk kemi marrë nga këto pyetje. Thjesht, kemi kuptuar se kemi ecur deri më tash me të dy sytë e mbyllur.
Debati politik post-Pango po dëshmon gjithashtu vërtetësinë e aksiomës së Oscar Wild-it: “Askush nuk është dot aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij”. Reagimi i fundit i PD-së ndaj Edi Ramës është një prej shprehjeve të kësaj dëshmie, edhe pse jo e vetmja.
Historia politike sipas Pangos
Shpërdorimet seksuale me detyrën janë denoncuar prej kohësh në Shqipëri. Pa bërë shumë histori, edhe gjatë komunizmit Shqipëria ka qenë një vend i kalbur në këtë aspekt. Filmi “Parullat” jep vetëm një element të imët - në grotesk - të këtij presioni.
Drejtorët e ndërmarrjeve në Shqipëri shkëmbenin gra të nënshtruara që pranonin çdo kusht për t’i mbijetuar krizës shoqërore ku sistemi kishte vërvitur individin. Kjo ndoshta shpjegon edhe pse gratë përbënin 80% të fuqisë punëtore në Shqipërinë komuniste. Për më tepër, ashtu si në çdo burg tjetër të botës, edhe në Shqipëri “uria seksuale” thuajse nuk fshihej.
Në vend qarkullonin barcaleta dhe qeshej mbi diçka që duhej të fitonte statusin e asaj që sot p.sh. e zëvendëson “Big Brother” apo “Kafazi i Artë” – shtëpia e thashethemeve live.
Prirje disidente nga Lindja ish-komuniste madje e trajtuan këtë shtrajtësim të sjelljes seksuale gati si një formë të rezistencës së heshtur kolektive në mbrojtje të një lirie të humbur.
Por post-komunizmi, si periudhë dhe liria e tij e hutuar, mbeti po aq i kompleksuar në këtë drejtim.
Kur flasim për Pangon, nuk mund të harrojmë një listë titullarësh shtetërorë që të paktën një herë në jetën e tyre e kthyen në ngjyrë rozë zyrën apo vilën qeveritare. Një libër titull-fortë i një gazetareje që iku në Gjermani dhe e botoi atje listën e atyre që kishte “përdhunuar” nga politika shqiptare, u bllokua dhe u hoq me urgjencë nga qarkullimi në prag të viteve 2000. Shumë pak emra, duke përfshirë Sali Berishën apo Albert Brojkën, mungonin në atë listë. Shumë të tjerë ishin aty, me këmbët që u mbanin erë, me djersën e rëndë nga mbipesha, me qimet e shëmtuara të një trupi që po hakmerrej ndaj nënvleftësimit publik të përjetshëm dhe vetëposhtërimit që ai prodhon.
Përtej implikimit të politikës, seksi në shoqërinë shqiptare ka mbetur një institut i rëndësishëm i kulturës sonë të komunikimit dhe qasja ndaj tij është shprehja më e mirë për të kuptuar stereotipin e rendit shoqëror të cilit i përkasim.
Vetëperceptimi kolektiv sipërfaqësor
Mund ta themi me plot gojën se shoqëria shqiptare sot matet se vlen vetëm me pamjen e jashtme të saj. Apareshenca është tipari ynë më i qëndrueshëm kolektiv.
Një ndërtues nuk punon dot nëse nuk lëviz me një fuoristradë të stërmadhe dhe nëse nuk dëshmon qysh së jashtmi se nuk ka ku të çojë paratë. Pronarët e truallit të parët nuk do t’i besonin një njeriu, që flet me edukatë, di të bëjë llogari dhe që njeh ligjin.
Të fortët në Shqipëri janë blerësit më aktivë të viagrave nëpër farmaci. Pas tyre, minorenet (dhe për fat të keq – shpesh të shoqëruar me prindërit e tyre) trokasin në të njëjtat farmaci për të blerë prezervativë dhe profilaktikë të urgjencës.
Numrin më të madh të aborteve në Shqipëri vazhdojnë ta bëjnë gjimnazistet.
Krejt kultura e planifikimit familjar ka prodhuar një sistem shpërdorues të seksit për mjedisin parafamiljar të dashnorëve që ikin e vijnë, mundësisht me shkëlqimin e një makine të madhe që pret te dera e shkollës për të ikur në qindra motelet që rrethojnë Tiranën dhe tani së fundmi edhe shumë qytete të tjera, ku me sa më kanë thënë, emigrantët provojnë gratë e tyre të ardhshme, në dhoma që shohin nga fushat e papunuara përgjatë rrugës nacionale. Një pjesë e këtyre “provave” prodhojnë punonjëset e trotuareve në Itali, Greqi e Belgjikë.
Por qoftë viktimat e trafikut , qoftë vajzat fatlume të bulevardit të Tiranës, nisen nga një start i përbashkët. Hedonizmi është filozofia e tij. Seksi është instrumenti bazë i një metodologjie, ku në rastin më të mirë suksesi varet nga gara e imazhit. Në rastin më të keq, nga nënshtrimi pa kushte. Deri në skllavëri.
Pango, si psikolog, duhet ta ketë ditur se apareshenca shoqërore në Shqipëri (përpjekja për t’u bërë i dukshëm me zor) është shprehje subliminale e kompleksit të vetëposhtërimit që buron nga vuajtja për mungesën e vlerave të brendshme. Për këtë, çdo fërkim shpatullash është një terapi psikologjike shenjash, por jo kurë ndaj shkaqeve, të cilat janë të brendshme, si në çdo sëmundje të rëndë.
Sot zemrën e komunikimit tonë shoqëror e përbën komponenti që njohim më mirë dhe ku gjejmë mundësi të ndihemi individualisht të realizuar: seksi.
Është për këtë shkak që sot shumë nëngrupe shoqërore në vend e kanë varfëruar komunikimin e tyre, duke e shndërruar atë në shkëmbim njësish elementare kuptimore, duke konsumuar në ditë jo më shumë se 50-250 fjalë. Është forcuar prirja e komunikimit elementar, atij që nuk ka nevojë për strukturim, përpunim, dije apo ide: komunikimi trupor. Në këtë aspekt, numri i njerëzve që shihen rrugës, duke bërë pantomima, është në rritje. Po brenda kësaj prirjeje, komunikimi instiktiv (lexo: seksual) është forcuar, duke e kthyer atë në metër të matjes së ngjashmërive (lexo: boshllëkut të brendshëm).
Shoqërisht jetojmë në një botë spektakli: femra me trupin më të mirë, balerini me plastikën më të mirë, futbollisti me famën më të madhe dhe ndoshta edhe këngëtari me tingullin më të përpunuar të zërit (prapë dhurata e lindur natyrore) kryesojnë listën e modeleve pozitive sociale. Ndërkaq, është shpikur e lulëzon muzika recitative (rep/hip-hop) si alternativë e tekstit pa muzikalitet.
Mushkëria jonë sociale quhet celular. Në teori ne e përdorim gjerësisht kompjuterin dhe internetin. Në praktikë na duhet për të bërë llogje në distancë. Sa më shumë flasim, aq më pak themi. E rëndësishme është të mbetemi trendi.
Kulturën e prodhon dhe e konsumon po televizori. Treçerekun e kohës televizive e zënë telenovelat dhe filmat. Mjafton të dëgjosh reklamat e tyre dhe e kupton menjëherë se me çfarë helmesh ushqehemi.
Filmi më inteligjent i katër viteve të fundit, “Alias”, shitej nga kanali që e transmetoi si “aventurë, vrasje, grabitje, mashtrime, pabesi, pasion”. Asnjë fjalë për mendjen e hollë që bënte ligjin në të gjitha zgjidhjet regjisoriale të një seriali të lodhshëm, por shumë të suksesshëm televiziv.
Më shumë se gjysma e emisioneve televizive të vendit fillojnë o me fjalën “Zemër”, o mbarojnë me fjalën “Dashuri”. Është kohë limonadash sensuale.
As shampoja e kokës apo makaronat nuk shiten dot më në dyqanet tona nëse reklama nuk ka elemente erotike marketingu. Të mos flasim për birrën, kur në këtë kurth kanë rënë edhe bankat. Një mashkull dhe një femër shohin trupin e njëri-tjetrit dhe pyesin njëzëshëm: Për bankën po mendon?
Gjuhësisht jemi pre tërësore e një fjalori të ngjyrosur seksualisht.
Para dy ditësh kam dëgjuar gra plaka në një kafene që qeshnin sepse njëra “e kishte ngrënë” nga nusja, ndërsa tjetrës ia “kishte futur” komshia. Çfarë presim ne nga fëmijët dhe të rinjtë? Në shumë shtëpi gojët rrotullojnë gjëra njëqind herë më të ndyra se rrobat e palara që rrotullon lavatriçja. Dhe po njëlloj pis i nxjerrin.
Nëse standardi shoqëror e pranon që ne “ta hamë” nga mëngjesi në mbrëmje këtë gjellë të shëmtuar etike, pse na skandalizon kaq shumë pastaj rasti Pango, i cili ishte në shtëpinë e tij? Ministër me pizhame nuk ka. As punëmarrëse që të vjen në shtëpi pas orës 9 të darkës.
Lehtësia e ndërtimit të kurthit ndaj Pangos (madje dhe lehtësia me të cilën ne sot e gjykojmë atë) buron nga lehtësia me të cilën shoqëria ka pranuar një mijë kompromise të tjera, të cilat nisin te fakti se familja pranon që vajza të dalë prej shtëpie e veshur si punonjëse trotuari, që fëmija ka të drejtë të bëjë jetën e vet seksuale ditën dhe natën, kompromisin e prindit që pranon qetësisht humbjen e pakthyeshme të rolit të tij në jetën e fëmijëve, pranimi i kulturës masive si vlerë e pashmangshme individuale (madje edhe familjare) për të mos vuajtur veçimin, nëpërkëmbjen e çdo tradite vetjake dhe çdo tipari kombëtar, identiteti i importuar në emër të aglomerimit me çdo kusht në grupin e atyre që falë kësaj do të promovohen, bëjnë sukses, shkëlqejnë.
Kjo ujëvarë kompromisesh derdhet në një lumë, i cili deltën e ka te vdekja e identitetit kombëtar. Pango na e dëshmoi këtë, duke na zgjuar nga gjumi. Por shoqëria askund nuk ka nisur të ngrihet në këmbë dhe të dalë nga ky shtrat i fëlliqur, kolektiv.
Shënim i autorit: Ajo që ndodhi me ministrin Pango nuk është as e re, as e panjohur. Ylli Pango shkundi me arrogancë vetëm letargjinë mbi të cilën shoqëria shqiptare e kishte pranuar bashkëjetesën me këtë dukuri.
Nga ana e saj shoqëria reagoi po kaq ashpër, duke e refuzuar tërësisht dukurinë Pango, si në historinë e “prostitutës që dëbohet nga shtëpia publike për imoralitet”.
Dua të sqaroj se për ta gjykuar publikisht z. Pango, unë personalisht kam në këtë rast një konflikt interesi. Ai i ka vjedhur Institutit Shqiptar të Marrëdhënieve Publike një projekt të turizmit malor, për të cilin ne - dhe një rreth donatorësh nga GTZ deri te EDEM - po punonim qysh prej tetorit 2004. Pasi unë ia paraqita atë në zyrën e tij, ministri Pango doli në konferencë për shtyp dhe e lançoi idenë si një projekt të ri të ministrisë, duke hedhur në kosh krejt punën e bërë deri atëherë dhe duke e dënuar këtë projekt me vdekje. Kjo indinjoi thellë edhe donatorët.
Për këtë arsye nuk do të merrem me z. Pango si person.
Por dua me këtë rast gjithashtu t’i shpreh mirënjohjen z. Pango për ndihmën e madhe që i dha pa dashje krejt shoqërisë. Me shpenzimet e tij ai ndërtoi një pasqyrë ku shoqëria ka rastin të shohë gjërat e saj të shëmtuara dhe të mësojë se çfarë nuk duhet bërë më. Ky akt vetëmohues i z. Pango është vlera e vetme e asaj që ka ndodhur.