E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arroganca qeverisëse që pjell banalitet



Nga Armando META

“Shkërdhatë”, “motel”, “bordello”, “vagabond”, “do të vras”, “zhelesh”, etj., etj. Ky ka qenë fjalori i demonstruar pak ditë më parë në sallën e Kuvendit nga dy drejtues të lartë të shtetit, përkatësisht Kryeministri, Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Parlamenti, që konsiderohet prej mijëra vitesh si foltorja e debatit politik dhe e sjelljes qytetare, është kthyer në një skutë rrugicash lagjeje, ku të fortët, përdorin një fjalor që bën të skuqen jo vetëm femrat… por edhe meshkujt. E si të mos mjaftonte kjo, vetëm një ditë më parë u bë publike një letër- protestë që ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, i kishte dërguar kryetares së Kuvendit, ku shprehte pakënqësinë e tij të thellë për sjelljen arrogante të administratës së Kuvendit ndaj përfaqësuesve të ambasadës amerikane dhe diplomatëve të tjerë, të cilët u përzunë nga salla e parlamentit ditën kur Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, lexoi raportin vjetor për kriminalitetin gjatë vitit 2007. Ajo që bie në sy në letrën e ambasadorit është nxjerrja në pah e sjelljes arrogante të drejtuesve më të lartë të Kuvendit. Në realitet prej shumë muajsh media, por edhe opinioni publik dhe politik, ka nënvizuar faktin se drejtuesit më të lartë të qeverisë, duke filluar që nga kryeministri dhe ministrat, deri dhe tek drejtuesit e Kuvendit, dëshmojnë një sjellje arrogante që nuk ka asnjë lidhje me politikën apo zbatimin e ligjeve të këtij vendi . I thirrur nga deputetët e opozitës, Kryeministri nuk denjon të vi në interpelanca, duke dëshmuar një shpërfillje dramatike për institucionin e parlamentit. Ministrat në pjesën më të madhe, ndonëse janë simbole të papërsëritshme të paaftësis profesionale, sillen në Kuvend sikur të jenë zotërit e këtij vendi. Drejtuesit më të lartë të Kuvendit, dëshmojnë një sjellje arrogante, sikur janë aty për të mbretëruar e jo për të drejtuar seance plenare. E gjithë kjo situatë ka kristalizuar qartazi një grup politik brenda partisë më të madhe qeverisëse, që nuk njeh as rregullat më elementare të kulturës politike, por edhe të asaj qytetare. Si shtetas të këtij vendi, natyrisht që ndjehemi keq kur shikojmë shpërfytyrimin e plotë të drejtuesve të pushtetit, të cilët nuk arrinë të kontrollojnë emocionet e tyre negative. Është e kuptueshme se mënyra më e keqe për të bërë politikë është ajo e cënimit pa shkak të emrave të familjarëve të një politikani apo drejtuesi shteti. Por nga ana tjetër edhe vetë i cënuari ndaj këtyre akuzave, i cili është në poste kyçe të drejtimit të vendit, nuk mund të shfryjë emocionet negative me një fjalor ordiner dhe kërcënime për eleminim fizik. Vetë kryeministri Berisha, në momentin që u ul në karrigen e kryeministrit, duhej ta merrte parasysh faktin se do të përballej me akuza dhe insinuata mjaft të rënda dhe se nuk do të mund të qeverisë “si në vaj”. Por duket se kreun e qeverisë e kanë lëshuar tërësisht nervat dhe nuk po arrinë më të kontrollojë emocionet negative. Nata, në shumë raste, nuk arrin të mbulojë gjurmët. Kryeministri ynë ndodhet më i ndriçuar se kurrë, falë fjalorit të tij të padenjë për një burrë shteti. Deri më sot nuk kemi lexuar apo dëgjuar akoma asnjë udhëheqës shteti, Kryeministër apo President, të përdorë një fjalor si ai që kryeministri ynë përdori në Parlament. Përpos kësaj, kërcënimi në Kuvend nga kreu i qeverisë për të vrarë një deputetë të opozitës nuk është dëgjuar as në regjimet më primitive diktatoriale, që kanë pasur minimalisht një lloj jete parlamentare. Deklaratat se “kryeministri u ndie i provokuar”, nuk e justifikojnë aspak fjalorin e përdorur prej tij në Kuvend dhe kërcinimin për eleminim fizik të një deputeti të opozitës. Natyrisht që, i gjithë ky kulmim nuk është një rast i shkëputur, por pjesë e një procesi ku krerët e shtetit sillen si pushtues dhe jo si qeveritarë. Dalja jashtë kontrolli e emocioneve negative krijon jo vetëm pasiguri politike, por mbjell frikë dhe panik. Ambasadori amerikan me të drejtë ndjehet i shqetësuar për arrogancën që administrata e Kuvendit përdor ndaj përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë. Por po me kaq shqetësim duhen parë edhe kërcënimet publike që bëhen në Kuvendin shqiptarë për eleminim fizik ndaj një deputeti të opozitës. Si vend mund të kemi plotësuar disa kritere për anëtarësim në NATO dhe në BE, por disa prej drejtuesve më të lartë të shtetit duket se janë ende larg plotësimit të kushtit minimal në demokraci për të qenë politikanë të qytetëruar. Tek dëgjon fjalorin e kryeministrit dhe të kryetares së Kuvendit, thjeshtë ndjen trishtim për nivelin ku kanë rënë. Ajo që na bën të ndjehmi mirë është fakti se me atë fjalor ata dëshmojnë se nuk na përfaqësojnë.

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›