Bizneset e qendrës se kryeqytetit “përplasin” Policine Tatimorët me Bashkiakët
Ervin Koçi
Prej disa ditësh Policia Bashkiake e kryeqytetit ka nisur të ndërmarrë aksione të ndryshme në vijim të punës së saj normale, për administrimin e sipërfaqeve publike. Pjesë e këtyre aksioneve ka qenë dhe ruajtja e qetësisë publike, si dhe kontrolli i subjekteve private të cilat mund të abuzojnë duke shkelur rregullat dhe ligjet. Deri këtu ka qenë çdo gjë në rregull. Por aksionet e tre ditëve të fundit të Policisë Bashkiake, për moslejimin e lokaleve të natës që të kalojnë masën e duhur të zhurmës në kryeqytet, e kanë “përplasur” këtë institucion të pushtetit vendor me Policinë Tatimore. Pronarët e lokaleve dhe pub-eve të natës që kanë marrë gjoba nga Policia Bashkiake për tejkalimin e masës së zhurmës gjatë natës, janë ankuar pranë inspektorëve tatimorë që kanë nën administrimin fiskal zonën ku është ngritur biznesi i tyre. Por edhe pse aktiviteti i Policisë Bashkiake nuk ka lidhje aspak me atë të inspektorëve të tatimeve apo Policisë Tatimore, nga këta të fundit homologët e bashkisë janë akuzuar se “po shkelin kompetencat që u lejon ligji duke vendosur gjoba të pamotivuara”. Por nga ana e Policisë Bashkiake nuk është reaguar për të mos e thelluar konfliktin dhe për të mos i lënë shkas ndonjë problemi ligjor. Ky nuk është rasti i parë kur nga strukturat e pushtetit qëndror Policia Bashkiake pengohet në ushtrimin e aktivitetit të saj, e madje edhe akuzohet për tejkalim apo shkelje të kompetencave.
Aksioni në ish-bllok
Kanë qenë rreth 56 lokale dhe klube nate ato që kanë marrë gjoba nga Policia Bashkiake për tejkalim të zhurmave të muzikës në ambjente publike. Aksioni i bashkiakëve ka ardhur pas ankesave të shumta të banorëve të pallateve në zonën e ish-bllokut por dhe në pika të tjera të qendrës, të cilët telefonojnë shpesh për prishje të qetësisë. Është dashur kaq që efektivat e Policisë Bashkiake të inspektojnë dhe të kapin në flagrancë lokalet dhe baret që abuzojnë me zhurmat dhe përtej orareve dhe normave të lejuara nga Bashkia e Tiranës. Por ky nuk ka qenë rasti i vetëm pasi jo pak herë pronarët e lokaleve të ndryshme, e sidomos atyre të zonës së ish-bllokut janë gobitur për bllokime të hapsirave publike, parkimeve kolektive, apo dhe për hedhje të mbeturinave jo në vendet e caktuara.
Aksioni në tregun “Çam”
Policia Bashkiake e kryeqytetit në bashkëpunim me atë të rendit ka ndërmarrë paraditen e djeshme një operacion “blic” në tregun Çam. Objekti i këtij operacioni ishin tregtarët ambulantë të paligjshëm që tregtojnë mallra të ndryshëm, kryesisht aparate celulare. Sipas drejtuesve të operacionit, kontrolli ishte rutinë dhe në vazhdën e ndalimit të tregtimit të paligjshëm. Sipas tyre policia bashkiake shpeshherë ndërmerr operacione të këtij lloji me synim largimin e tregtarëve ambulantë dhe të paligjshëm nga tregu Çam, ku vëmendja e kontrollit përqëndrohet tek shitësit e aparateve celulare. Policia bashkiake ka bllokuar hyrjen dhe daljen e një rruge të këtij tregu me qëllim bllokimin e makinave ku dyshohen se shiten në mënyrë të paligjshme aparatet celularë dhe produkte të tjera elektronike. Ky nuk është operacioni i parë i ndërmarrë nga blutë e bashkisë, por shitësit i rikthehen sërish aktivitetit të tyre të paligjshëm pas çdo kontrolli të policisë.
24 Korrik 2008