Arsenal-Liverpul, përplasje angleze
Arsenali dhe Liverpuli kanë formuar "çiftin anglez" të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve pas shortit që është hedhur dje në Nion të Zvicrës. Dy skuadrat kishin në kalendarin e tyre një ndeshje kampionati në fushën e Arsenalit më 5 prill, por në të njëjtën javë do të vihen edhe dy herë të tjera përballë njëra-tjetrës më 2 dhe 8 prill, duke kërkuar kualifikimin e mëtejshëm në turneun evropian. Fitorja përballë Milanit ka rritur besimin e Venger, se skuadra e tij mund të ecë përpara drejt finales së majit në Moskë.
"Le të japim më të mirën. Ne treguam ndaj Milanit se kur jemi në maksimumin tonë, mund të mposhtim këdo. Ne sapo kemi eliminuar Milanin që ishte mbajtës i trofeut, duke kaluar pengesën më të madhe. Tani do të kemi përballë finalistët e vitit të kaluar dhe nuk shoh arsye përse nuk duhet t‘ia dalim përsëri", tha Venger pas hedhjes së shortit. Liverpuli luajti katër ndeshje ndaj Arsenalit në sezonin e kaluar, duke humbur si ndeshjen e Kupës FA, ashtu edhe atë të Kupës Karling. Në këtë edicion, "topçinjtë" kanë siguruar një barazim në fushën e Liverpulit falë një goli të minutave të fundit nga Çesk Fabregas. Venger nuk ka probleme me faktin që do të ketë përballë një skuadër angleze që e njeh mirë. "Është e jashtëzakonshme, por nuk është e papritur. Unë kam parë shumë herë të tjera të ndodhë një gjë e tillë. Normalisht do ta njohim shumë më mirë njëri-tjetrin pas tre ndeshjeve në një javë. Është një sfidë shumë interesante. Nuk ka rëndësi në cilin turne do të marrim pjesë, pasi ne duam të fitojmë çdo ndeshje. Dihet që do të preferoja një skuadër të huaj, pasi po luajmë në Kupat e Evropës, por gjithsesi mbetemi të bindur në dëshirën për të ecur përpara në këtë turne. Liverpuli është një skuadër e fortë, me një stadium fantastik dhe tifozë të jashtëzakonshëm, të cilët bëjnë që skuadra të rritë nivelin e lojës në ndeshje të tilla", përfundoi trajneri i Arsenalit.
Ndërkohë, trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, e trajtoi me filozofi rezultatin e shortit të hedhur nga UEFA. "Kjo ishte një nga mundësitë e shortit dhe tani do të shohim si do t‘i përballojmë këto tri ndeshje", u shpreh ai. Benitez nuk ka dashur të komentojë përballjen e mundshme me Çelsin në gjysmëfinale, e treta në katër vitet e fundit ndaj ekipit londinez. "Fillimisht duhet të mendojmë për Arsenalin, më pas do të shohim hap pas hapi. Askush nuk dëshironte të takonte një skuadër angleze, por në rastin tonë mund të luajmë me dy të tilla. Ky nuk është një moment i vështirë për ne. Ne kemi besim, po luajmë mirë dhe po shënojmë shumë gola. Kemi ecur përpara në Ligën e Kampioneve duke fituar ndaj skuadrës më të mirë italiane që mban kreun e renditjes në këtë kampionat dhe është mes elitës së futbollit evropian", deklaroi Benitez, duke lënë të kuptohet se skuadra e tij ka rifituar besimin pas ndeshjeve spektakolare me Interin. Ndërkohë, drejtori teknik i Liverpulit, Rik Perri, e ka cilësuar shortin të çuditshëm, por pozitiv, pasi dëshironte të mos përballej me Fenerbaçen. "Si të tjerët, nuk dëshironim të përballeshim me skuadër angleze, për më tepër me Arsenalin, me të cilin do të ndeshemi tri herë brenda të njëjtës javë. Megjithatë, ana pozitive për ne është se kemi evituar me sukses një udhëtim në Turqi", u shpreh Perri.
Liga e Kampioneve
Çerekfinalet
1/2 prill - 8/9 prill
1. Arsenal-Liverpul
2. Roma-Man Utd
3. Shalke-Barcelona
4. Fenerbaçe-Çelsi
Gjysmëfinalet
22/23 prill - 29/30 prill
Fitues 1 - Fitues 4
Fitues 3 - Fitues 2
Finalja
21 maj në Moskë