E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshime për shortin e zhvilluar në Nion

Vetëm pak orë pasi janë mësuar përballjet e çerekfinaleve në Ligën e Kampioneve, filluan dyshimet për rregullsinë e shortit. Në forumin e një sajti elektronik të një gazete, në orën 10:28 të mëngjesit (vetëm 90 minuta përpara hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës) është postuar një shkrim, që parashikonte në mënyrë të saktë të gjitha përballjet. Autori i këtij postimi pretendonte se "bookmakers"-at nuk do të pranonin më baste për shortin, megjithëse në të vërtetë shorti i hedhur dje nuk ishte kuotuar nga kompanitë më të mëdha. Por, kur të katërta përballjet e parashikuara në forumin e gazetës dolën të vërteta, në internet "shpërthyen" spekulimet se në një farë mënyre shorti ishte manipuluar. Burimi i lajmit duket se ka qenë një "bookmaker" i famshëm ndërkombëtar, por ai mbetet ende anonim.

UEFA nga ana e saj ka hedhur poshtë të gjithë zërat se shorti që përcaktonte çiftet çerekfinaliste (nga ku përcaktohej edhe skema për përballjet në gjysmëfinale) ishte i paracaktuar, duke i cilësuar ato si "qesharake" dhe "të pamundura". Një zëdhënës i UEFA-s tha: "Ishte vetëm një parashikim me fat. Kam kontaktuar me persona të afërt me shortin dhe ata u shprehën shumë të çuditur se vetëm pak orë pas hedhjes së shortit filluan spekulimet se mund të kishte ndonjë manipulim. Në fakt, kjo situatë u është dukur shumë qesharake. Skema e ndjekur dhe rezultati final i shortit ishin dy praktika tërësisht të ndryshme, mendoj se është vetëm çështje fati që dikush arriti të gjente me saktësi se cilat do të ishin përballjet në çerekfinale. Ky është shpjegimi i vetëm logjik që mund të japim". Ish-portieri i Rusisë, Rinat Dasaev, tërhoqi goglat gjatë hedhjes së shortit, i cili është transmetuar direkt në televizor, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Devid Tejlor, vëzhgonte gjithçka ndodhte. Nga ana e saj, UEFA beson se procedura ishte e pamundur për t‘u manipuluar: "Ky short ishte i hapur për publikun dhe për përfaqësuesit e klubeve. Goglat kishin të njëjtën ngjyrë dhe nuk kishin shenja dalluese. Ai (manipulimi) është i pamundur".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›