Arsenal-Real mohojnë shkëmbimin Rejes-Ouen
12/02/2005 Real Madrid do të jetë skuadra protagoniste në merkaton e verës dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Kaq ka mjaftuar për të bërë 1001 hipoteza. Disa ditë më parë është folur për sulmuesin brazilan të Interit, Adriano, por bisedimet morën një goditje burrokratike, ku midis Interit e Real Madrid nuk pati më asnjë kontakt. Nuk është folur pak edhe për Xhilardinon, por emri i orëve të fundit është ai i pykës së Arsenalit, Hoze Antonio Rejes. Real Madrid ka përgënjeshtruar interesimin për një shkëmbim të Rejes me sulmuesin e kombëtares angleze, Majkëll Ouen. “Real Madrid e ka përcaktuar Ouen si një futbollist të pashitshëm dhe nuk do të largohet në asnjë mënyrë nga Reali në fund të këtij sezoni. Nuk jemi interesuar asnjëherë për Rejes dhe mund t`i sigurojmë se nuk do ta bëjmë këtë as gjatë merkatos së verës”- ka thënë drejtori i përgjithshëm Emilio Butragenio gjatë një konference për shtyp. Ndërsa, në adresën elektronike zyrtare të Arsenalit shkruhet: “Nuk kemi marrë asnjë ofertë nga Reali për një shkëmbim të mundshëm midis Rejes dhe Ouen. Marrëdhëniet e Real Madrid me Arsenalin janë karakteriziuar gjithmonë nga transparenca dhe besimi”. Lajmi për shkëmbimin e mundshëm të këtyre dy futbollstivë ka dalë në qarkullim ditët e fundit, dhe spekullimet kanë arritur nivelin maksimal pasi Rejes ka thënë (vetë futbollisti nuk ka pranuar asnjë kontakt me radion spanjolle që ka dhënë lajmin) në një radio spanjolle se nuk ndihet mirë në Londër dhe dëshiron të transferohet te Real Madrid. Arsenali sezonin e shkuar ka paguar shifrën rekord prej 17 milion stërlinash (31.62 milion dollarë) tek Sevilia për të siguruar Rejes. Ouen akoma nuk ka arritur të sigurojë një vend të qëndrueshëm në formacion bazë të Real Madrid pas largimit nga Liverpuli për shifrën e 12 milionë eurove, pavarësisht se mban një nga vendet më të mira në klasifikim për golat e shënuar në raport me minutat e luajtura. Sulmuesi anglez ka shënuar shtatë gola në kampionat dhe nga një në Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionve.