E Diel, 1 Nëntor 2026

Çdo kohë po vjen me dajak

12/02/2005  “Te na çdo kohë po vjen me dajak, më e keqe se tjetra. Është ky popull i fortë dhe i shëndoshë, që nuk vuan për mirësitë e përfitimeve moderne, që kanë për pasojë zhvatjen fizike dhe natyrore të tij”, (Niko Nikiç “Shqipëria dhe shqiptarët”). Duket sikur ky shënim i para 100-vjetëve i udhëpërshkruesit, që ndalet diku në Malësi, është enkas i bërë për romanin “Rruga e pamëshirshme” e autorit Fran Camaj, botuar nga “Toena”.

Dhe pikërisht, në momentin kur edhe ky “popull” fillon të “vuaj” për mirësitë e përfitimeve moderne, kur në mentalitetin malësor, bota e të cilit përfundon me horizontin e shikimin, rrënohet nama më e madhe “Çoftë Zoti përtej Krajet – atje ku pret miza hekur”, shpërthen edhe rrjedha e mendimeve, që na shfaqet kësaj here në formë romani.

Janë vitet shtatëdhjetë, kur fillon vala e parë e emigrimit të malësorëve nga Hoti, Gruda, Trieshi, Koja e Luhari, nëpërmes kampeve të refugjatëve në Itali drejt “tokës së premtuar”, Amerikës. Në shtëpinë e Mark Lul Hasit, atmosferë e zymtë e bisedës në mes të nënës dhe të dy djemve, që shprehin dëshirën të marrin “rrugën e pamëshirshme”...

Është fjala për ata malësorë, që “u pengon” tingëllimi i takave të këpucëve të tyre në asfaltin e Perëndimt, ngase në njërën anë, për herë të parë, kishin këpucë në këmbë dhe në anën tjetër “frikësohen” që ai tingëllim të mos e pengojë “bamirësinë” e tyre – Njeriun X.

Autori nuk na le të tretemi në kërkimin e idesë. Që nga vet përkushtimi (“... dhjetëra të rinjve mërgimtarë nga Malësia e Madhe..., që e humbën jetën tragjikisht në SHBA, në shumë raste në rrethana të paqarta...”), ai na drejton në një realizëm të plotë, që në fillim të le të dyshosh se një temë aq realistike, vështirë se mund të futet në binarët e ndërlikuar të letrares (lexo artistikes!), pa u bërë peng i dokumentares.

Në narratorin e veprës, që e përcjell lexuesin besnikërisht që nga fillimi, e deri në faqet e fundit, dallojmë pjekurinë e mendimit, shprehjes dhe të përvojës jetësore. Parafytyrojmë njeriun që, në mënyrë të drejtpërdrejtë i përjeton të gjitha ato, që... nëse eventualisht përputhen me realitetin, janë rastësi. Rastësi, por e përjetuar thellë.

Dualizmi narratori-autori ngërthejnë shpesh rolin e vet, për të na dalë diku një.

Autori nuk vuan nga “intelektualizmi” i tepruar, që ta (tej)ngarkojë veprën me fjalë të huaja (gjë që fatkeqësisht sot mund ta hasim në gjuhën që përdoret, por edhe në letërsinë që krijohet brenda 28.000 km katrorë), përkundër, në gjuhën e tij thjesht letrare (shqip!) “infiltron” me qëllim dhe me vetëdije të plotë fjalë nga thesari malësor, që e pasurojnë gjuhën e verpës (pse jo edhe gjuhën e shkruar shqipe!). Bën gërshetim të suksesshëm dhe me vend të filozofisë malësore, duke mos ngurruar të përdorë fjalë të urta popullore, gjithnjë në funksionin e rrjedhjes së bukur letrare të veprës, duke e bërë romanin e tij të lexueshëm, me tendencë të dukshme të një funksioni edukativ.

Fati i individit në roman paraqitet në disa rrafshe, që mjeshtërisht lidhen në tërësinë e fatit të familjes malësore: në Malësi (prindërit - pleq), në Prizren (Pali në shkollim) dhe katër vëllezërit e tjerë në Amerikë, elementë këto të romanit klasik – realist, që deshe – s’deshe iniciojnë pyetjen që kërkon përgjigje në tërë romanin: Quo vadis – Malësi.

Nuk i ik autori kërkimit të përgjigjes në atë pyetje, edhe kur ajo na del e zymtë, edhe kur duhet përgjigjur me atë “... Ç'ka çon Zoti, duhet ta pranojmë”. E familjes së Mark Lul Hasit, “Zoti” i çoi mjaft brena.

Prej të katër djemve të Amerikës, vetëm njëri, Leci, “kthehet” në vendlindje, edhe ai në arkivol, për t’i pushuar eshtrat në një grusht të dheut malësor, dhe vetëm njëri, Gjergji, vazhdon jetën. Të tjerëve as të vdekur nuk u lëshohet pasaporta, ngase ishin vlerësuar si “armiq të shtetit jugosllav”. Preka, reflektim i kontraditave të dy kulturave (asaj tradicionale malësore dhe asaj të vrazhdë të rrugëve dhe nënurave amerikane) varroset në varrezat, që si shenjë identifikimi kanë numrin në një pllakë të vogël mermeri mbi kokë dhe dosjen në morg mbi të vdekurit e paindentifikuar).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›