Runi: Dua të luaj në qendër
12/02/2005 Sulmuesi i Mançester Junajtid Uejni Runi ka besim se mund të jetë lideri kryesor që do të udhëheqi Anglinë në finalet e Botërorit 2006. Deri tani ai ka fituar mbështetjen e trajnerit Sven Goran Erikson, sidomos pas aktivizimit si në Euro 2004 edhe në ndeshjet e fundit miqësore që ka zhvilluar skuadra e tij përfaqësuese. Gjatë takimit miqësor kundër Holandës të luajtur në Birmingam, Runi është aktivizuar në krahun e majtë të sulmit anglez. Nga ana tjetër ai ka pranuar se kërkon të jetë sërish titullar edhe në takimin e radhës që do të luaj skuadra përfaqësuese angleze. Në komentet e tij ai ka shprehur dëshirën për t’u aktivizuar më shumë në qendër të sulmit. “Mendoj se një pozicionim i tillë do të ishte shumë pozitiv për mua, ka thënë Runi. Sigurisht unë ndihem shumë krenar për aktivizimin tim me ngjyrat e Anglisë dhe prandaj do të luaj gjithmonë aty, ku do të më zgjedhin. Kam ecur mjaft mirë në Euro 2004 me pozicionin e qendërsulmuesit, por ndodh që shpeshherë është mirë kur përpiqesh të tregosh nivelin tënd si futbollist në drejtime të ndryshme. Sidomos takimet miqësore janë ato, të cilat e realizojnë më së miri eksperimentimin e lojtarëve përpara se të marrin pjesë zyrtarisht nëpër kompeticionet ndërkombëtare. Për sa i përket rolit tim të ri me skuadrën përfaqësuese në stadiumin ‘Vila Park’ mendoj se nuk ishte asgjë e re për mua sepse kam luajtur shumë herë për këtë sezon edhe me fanelën e Mançester Junajtid. Kam arritur të shënoj 12 gola me Mançester Junajtid nga ky pozicion dhe mendoj se ky është bilanci më i lartë që kam arritur ndonjëherë në Premier Ligë”.