E Diel, 1 Nëntor 2026

Tualeti – ngjyrat e dimrit

12/02/2005  Koleksionet e modës dhe të tualetit shkojnë përherë bashkë. Ndjesia superfemërore dhe e rafinuar që mbizotëron modën këtë dimër, përfaqësohet në koleksionet e shtëpive kozmetike. Tualeti për sezonin e ftohtë është joshës dhe seksi... Por me një gamë më të ngjyrosur nga ajo që jemi mësuar të shohim për dimër.

Ngjyrat e tokës janë përherë ngjyrat më të përdorura për stinën e ftohtë. Edhe këtë dimër, i gjejmë sërish në koleksionet e tualeteve. Por nuanca portokalli shpesh është zëvendësuar nga nuanca rozë dhe vjollcë, duke u hequr ngjyrave të tokës efektin e portokalltë që kujtonte pyjet “e përndezur” në vjeshtë dhe duke i bërë më të butë, më të murrme-vjollcë. Kombinojini këto ngjyra me të tjera rozë të ftohtë, të akullta, me lejla, ngjyrë kumbulle dhe të gjelbra të lehta për një efekt të mrekullueshëm e “të përditësuar”.

Përveç ngjyrave të tokës që priren nga lejlaja e vjollca, le të shohim edhe shumë ngjyra të tjera të ngjashme, të cilat “ngrohen” nga stërpikje të arta, rozë dhe e kuqe e ngrohtë. Por ama, efekti tokë sa vjen e mungon më tepër. Ngjyrat dhe nuancat e portokallisë, karakteristike të stinës së ftohtë, janë zbehur në ngjyra më moderne dhe të modës.

Ngjyrat e tokës kanë përkrah këtë dimër ngjyra më në modë: vjollca dhe jeshilja. Përdorini këto ngjyra të reja për të krijuar një variant të ri mbi “smokey eyes” – “sy të mjegulluar”. Dhe kombinojini këto ngjyra të veçanta e që bien shumë në sy – por që përdoren vetëm në sy – me nuancat e rozës ose bakrit për buzët.

Dhe nëse gjithçka bëhet më femërore, moda kërkon edhe një sforcim më të madh nga ana jonë: rrobat duhet të jenë në formë dhe masë të përsosur dhe gjithashtu tualeti duhet të bëhet me saktësi të madhe. Për të punuar mirë është e rëndësishme të kesh në dispozicion një dritë të mirë (drita e diellit është përherë më e mira) dhe të lyhesh me gjithë qetësinë që mundesh (një artist profesionit i makiazhit mund të kalojë orë të tëra për një makiazh të bukur – ndërsa ti, pse duhet ta bësh për dy minuta?!). Suksesi i tualetit tënd varet pastaj edhe nga ngjyrat që zgjedh. Mos u prir për ngjyrë vjollcë ose jeshile vetëm sepse janë ngjyra të modës. Shiko njëherë në të shkojnë. Nëse ke ndonjë dyshim, mund të ndjehesh më e sigurtë nëse zgjedh nuanca e ngjyra më klasike ose rozë, nuanca që na shkojnë të gjithave.

Tualeti vjeshtë-dimër 2004-2005: vlerësim për “pikat e forta”

Kujdesi për hollësirat është lajtmotivi i sezonit të ri për Mac. Nuk i lihet asgjë rastësisë, pikat e forta të fytyrës janë sytë, buzët, lëkura... çdo hollësi pra, është studiuar dhe ka qenë në qendër të kujdesit e vëmendjes. Tashmë nuk i jepet rëndësi vetëm një detaji, por gjithë tërësia e fytyrës merr një vlerë të vetëdijshme.

Për stinën e ardhshme të ftohtë, MAC propozon shumë alternativa nga të gjitha ngjyrat, të cilat u përshtaten të gjithë llojeve të fytyrave. Por kujdesi më i madh i kushtohet lëkurës, syve dhe buzëve. Pamja “naked” (lakuriq) ekziston vetëm atëherë kur është rezultat i një përzierjeje të vetëdijshme produktesh që i japin fytyrës një efekt me pak makiazh. Element tjetër themelor i tualetit vjeshtë-dimër është drejtpeshimi: sytë, buzët, mollëzat dhe vetullat duhet të jenë të ngjyrosura, të konturuara, pa vënë theksin te njëra apo tjetra në veçanti, por që gjithçka të jetë në një ekuilibër të përsosur; kështu do të dalë në pah një fytyrë ku bie në sy çdo veçanti. Meqë flitet për ngjyrat, në stinën e ardhshme buzët do të vishen nga glos buzësh në ngjurë mëllage dhe nga ngjyra të kuqe të ftohta, por delikate, ku në ndihmë u vjen edhe lapsi, që rikthehet për të pasuruar dhe konturuar buzët, por pa rënë shumë në sy.

Sytë mund të vihen në dukje me anë të penelit, por jo shumë i theksuar, pak i zbehur, për të krujuar efektin e syve “të mjegulluar”. Dhe siç ndodh përherë, për t’u dhënë sa më shumë vlerë syve përdoren ngjyrat që kanë një efekt skenografik. Qerpikët lyhen në gjithë gjatësinë e tyre me rimel, për ta bërë vështrimin më intensiv dhe tërheqës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›