E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenal armësh në banesën e të arrestuarit për drogë

Të mbiquajturit "Drumba" iu gjetën në shtëpi tre kallashnikovë, 1500 fishekë, si dhe 680 kapsolla detonatore


GJIROKASTËR- Një arsenal i vërtetë armësh është gjetur në shtëpinë e njërit prej të arrestuarve të disa ditëve më parë. Ka mjaftuar një kontroll që të zbuloheshin jo vetëm armët e zjarrit, por edhe mjaft armatime të tjera luftarake.

Tri ditë më parë, gjatë operacionit të koduar "Rrëshqitja", i iniciuar dhe zbatuar nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, u vu në pranga edhe shtetasi Fatmir Jashari, i njohur ndryshe me pseudonimin "Drumba", person i cili ka qenë më parë i dënuar në shtetin fqinj, Greqi.

Pas sekuestrimit të 2 armëve zjarri, përkatësisht automatik kallashnikov dhe pistoletë TT dhe rreth 50 kilogramëve marihuanë, hetimet e mëtejshme si dhe një sërë informacionesh të marra në rrugë operative flisnin për të tjera armatime në shtëpinë e njërit prej dy të arrestuarve.

Në bazë të këtyre fakteve, nga zyrat e Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila po ndjek edhe çështjen në ngarkim të dy të arrestuarve ka dalë edhe mandati i kontrollit, e cila ka hedhur dritë dhe ka vërtetuar informacionet.

Mësohet se kontrolli policor, i organizuar në bashkëpunim ndërmjet uniformave blu të Gjirokastrës dhe atyre të Sarandës e që ka ardhur në vazhdën e operacionit të koduar "Rrëshqitja", është ushtruar rreth mesnatës së të enjtes në banesën e Jasharit, në qytetin e Sarandës.

Në njërën prej dhomave janë gjetur të fshehur tri armë zjarri, automatik kallashnikovë, 680 kapsolla detonatore 50 prej të cilave u gjetën të montuara me fije teli, 50 metra fitil ndezës, 1500 fishekë model 56 (automatiku), si dhe gjashtë krëhëra. Menjëherë më pas lëndët plasëse kanë kaluar në ekspertimin tekniko-balistik, ndërsa municionet e tjera luftarake janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Tri ditë më parë, Fatmir Jashari u vu në pranga së bashku me shtetasin Izet Boçka, pasi akuzohen se kishin blerë një sasi prej 50 kilogramësh marihuanë në fshatin Lazarat dhe po e transportonin drejt qytetit të Sarandës. Por, në çantat e drogës u gjetën edhe dy armë zjarri, gjë që hodhi edhe dyshime të tjera, të vërtetuara tashmë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›