Shteti u vë taksë televizori, prej 20 vjetësh nuk kanë sinjal
SHKODËR - Prej 20 vjetësh në zonën e tyre nuk ka sinjal televiziv, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta paguajnë. Madje, edhe atyre që u ka shkuar ndërmend të protestojnë janë ndëshkuar me prerjen e dritave.
Një gjë e tillë ka ndodhur me banorët e fshatit Tamarë të komunës së Këlmendit, të cilët prej gati një jave janë pa energji elektrike. Kjo për faktin se kanë refuzuar të paguajnë taksën prej 600 lekësh të sinjalit televiziv, e përfshirë në faturën e energjisë elektrike.
Refuzimi ka ardhur si pasojë e faktit se, siç shprehen vetë banorët, prej 20 vitesh në këtë zone nuk ka sinjal televiziv tokësor dhe se një taksë e tillë nuk u ka ardhur asnjëherë. Ndaj në momentin që në faturat e janarit është shënuar edhe rritja prej 600 lekësh, ata e kanë quajtur atë si abuzim.
"Shteti po na vjedh duke na marrë 600 lekë të reja për familje për një shërbim që as nuk e kemi dhe as nuk e kemi përfituar prej 20 vitesh. Dhe ky shërbim është përfshirë në faturën e energjisë elektrike, me qëllim që të jemi të detyruar ta paguajmë",- shprehen banorët.
Por pretendimet e tyre janë hedhur poshtë nga OSSH-ja, që kërkon që të paguhet fatura bashkë me taksën e sinjalit televiziv. Kështu, punonjës të OSSH-së së bashku me efektivë të policisë së rendit kanë bërë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të rreth 200 shtëpive në Tamarë, përfshirë dhe disa prej atyre që i kanë paguar.
Familjet e kryetarit të komunës Ndue Lelçaj apo të banorëve të tjerë, si: Nikolin Pecaj, Gjon Vaci, Zef Lelçaj etj., e kanë paguar faturën së bashku me taksën e sinjalit televiziv, edhe pse ai mungon, por megjithatë edhe këtyre familjeve u është ndërprerë furnizimi me energji elektrike.
Sipas punonjësve, ndërprerja është bërë totale pasi rrjeti nuk lejon që të ndërpritet furnizimi me energji elektrike vetëm tek ata që nuk paguajnë. Kështu që banorët e Tamarës duhet të qëndrojnë në errësirë derisa të paguajnë faturat me 600 lekë më shumë taksë të sinjalit televiziv që nuk e kanë prej 20 vitesh.
Problemi i pagesës së sinjalit televiziv është ndeshur dhe në disa njësi shërbimesh në Shkodër, të cilat edhe pse nuk kanë aparate televizive, u është vënë taksa prej 600 lekësh të reja.
Në lagjen "Ndoc Mazi", në rrugën "Skënderbej", në afërsi të konviktit "Safet Spahiu ", një taksë e tillë u është vënë pa dallim disa bizneseve të vogla që nuk kanë pasur kurrë aparate televizive, si: këpucar, berber, farmaci, byrektore etj .
"Shteti po kërkon të mbledhë sa më shumë lekë prej nesh duke vendosur taksa që nuk na përkasin dhe, duke qenë se jemi të detyruar të paguajmë faturën e energjisë elektrike, e ka vendosur dhe këtë taksë në faturë. Kjo është një vjedhje e pastër, një grabitje që na bëhet",- shprehen personat që u ka ardhur kjo taksë.