Prokurori: Coli do pyetet me dyer të mbyllura
Banda e Durrësit
Kundërshtohet prokuroria për të penduarin e "bandës" së Lul Berishës. Pasuritë e këtij të fundit janë kërkuar për sekuestro nga hetuesit
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor ndaj 16 të pandehurve të akuzuar si anëtarë të "bandave" të Durrësit, kërkoi dje pyetjen e të penduarit të kësaj "bande", Adriatik Coli me dyer të mbyllura. Në këtë proces i akuzuar si drejtues i bandës, është Lulëzim Berisha, bashkë me një grup personash që janë të akuzuar në proces.
Për shkak të këtij procesi gjyqësor prokuroria ka kërkuar edhe sekuestrimin e pasurive të Berishës, që tashmë është duke u shqyrtuar nga organet gjyqësore. Ndërkaq kërkesa e prokurorëve Anton Martini e Behar Dibra, për të pyetur me dyer të mbyllura Colin, ka irrituar disa nga avokatët e pranishëm në seancën gjyqësore, që pas 4 muajve ishin mbledhur bashkë për të vazhduar procesin gjyqësor.
Por, fjala e prokurorit nuk u lejua të përfundojë nga disa nga avokatët e këtij procesi, të cilët i kërkuan njërit nga kolegëve të tyre të braktisë sallën e gjyqit, për të mos lejuar pyetjen e të penduarit. Kjo kërkesë e disa avokatëve, ka ardhur pasi i pandehuri Selman Heti kërkoi që të zëvendësojë avokatin e tij të zgjedhur nga familja.
"Kam një prokurë të posaçme ku dua të depozitoj para gjykatës, pasi heq dorë dhe e përjashtoj nga mbrojtja ime ligjore avokatin Vangjel Muzina duke e zëvendësuar atë",- tha Heti, kërkesa e të cilit u pranua nga gjykata, por duke kërkuar që seanca të vazhdonte dhe avokati të ndërrohet në seancën e radhës.
Por, ky vendim i ndërmjetëm bëri që avokati i të pandehurit Plarent Dervishi, Riza Icka të "bëjë" presion mbi kolegun e tij Muzina që të largohet nga salla e gjyqit, për të arritur qëllimin e shtyrjes dhe mos pyetjes së të penduarit Coli.
Kërkesat e vazhdueshme të avokatit Icka e detyruan gjykatën t'ia tërheqë vëmendjen avokatit për imponim ndaj kolegut. Më pas, ka qenë edhe vetë i pandehuri Heti që ka kërkuar që avokati Muzina të largohet nga salla e gjyqit, që ky i fundit ka marrë çantën dhe është larguar.
Për shkak të këtij largimi, gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit e arrestuar dhe shtyri seancë për dy javë, për të njoftuar avokatin e zëvendësuar nga vetë i pandehuri Heti. Seanca e djeshme gjyqësore ishte e 65, nga të cilat për 51 herë është shtyrë për mungesë të avokatëve.
"Banda e Durrësit" cilësohej si një ndër bandat kriminale më të rrezikshme në vend, e cila është drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu, por pas vrasjes së këtij të fundit edhe "banda" është ndarë ku "frerët" e drejtimit i ka marrë nga grupi i Klod Saliut, Indrit Dokle.
Mbi anëtarët e kësaj "bande" rëndojnë akuza të shumta, që nga vrasja, pengmarrja e deri te "armëmbajtja pa leje" të kryer në kuadër të organizatës kriminale. F.Vezaj