Pango vullnetarisht në Prokurori
Organi i akuzës pritet të caktojë një datë të afërt për marrjen e deklarimit të ish- Ministrit të Kulturës
TIRANË- Ish-ministri i Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, paraqitet javën e ardhshme përpara dyerve të organit të akuzës, për të dëshmuar në lidhje me hetimin e hapur ndaj tij pas publikimit së videos së sakndalit seksual nga Top- Channel, në "Fiks Fare".
Vetë është shprehur i gatshëm nëpërmjet avokatit të tij, se do të paraqitej në organin e akuzës për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, në lidhje me "akuzat" e abuzimit me detyrën në shkëmbim të favoreve seksuale.
Ky fakt është konfirmuar nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët saktësuan se deputeti Pango nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ka shprehur dëshirën për të ardhur vullnetarisht në prokurori për të shpjeguar pozicionin e tij në lidhje me takimin "hot" me ish-studentën e tij. Gjithashtu, po ky lajm u konfirmua gjatë pasdites së djeshme edhe nga mbrojtësi ligjor i deputetit Pango, avokati Ardian Leka.
Prokuroria pritet të caktojë një datë të saktë për marrjen e deklarimit të ish- ministrit të Kulturës në lidhje me hetimin ndaj tij. "Kemi kontaktuar me drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe kemi shprehur gatishmërinë tonë në çdo kohë për të dhënë shpjegime në lidhje me pamjet filmike të transmetuara nga emisioni "Fiks-Fare" në banesën e ish-ministrit dhe deputetit Ylli Pango-u shpreh avokati i Pangos për "Shekullin".
Ndërkaq, burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës në lidhje me "dosjen Pango" u shprehen se "nuk kemi vendosur ende se çfarë do të behet, jemi në analizimin e fakteve dhe provave të sekuestruara".
Pak javë më parë, emisioni investigativo-satirik "Fiks-Fare" publikoi një video disa minutëshe, ku ish-Ministri i Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango kërkonte favore seksuale nga një "punëkërkuese" për një vend pune pranë ministrisë që ai drejtonte.
Por, këtë filmim vetë deputeti Pango e ka cilësuar si një "montazh politik i qarqeve të caktuara të së majtës". Ndërkaq, drejtuesit e emisionit që kryen këtë regjistrim me kamera të fshehta, janë shprehur se "pamjet janë të pa montuara dhe ashtu siç ka ndodhur realisht, që një Ministër kërkon favore seksuale për një vend pune".
Ndërsa, Prokuroria e Përgjithshme menjëherë pas publikimit të kësaj videoje filloi hetimet kryesisht duke sekuestruar të gjitha DVD-it e regjistrimit të kryer nga gazetarët e emisionin "Fiks-Fare" të cilat i janë nënshtruar një ekspertize audio dhe video për vërtetësinë e tyre.
Pritet që në ditët në vazhdim, drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme të konsultuar me avokatit e deputetit Pango të caktojnë një datë për të dhënë shpjegimet e tija ish-Ministri i Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve.
Prangoset dezertori i Ushtrisë
TIRANE-Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dezertoi shërbimin ushtarak. Murat Simoni lindur në Mirditë dhe banues në Pasku të Tiranës është kapur ditën e djeshme nga oficerët e sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia për veprën penale të "Dezertimit".
Burime zyrtare nga thanë se Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, më datë 26 dhjetor të vitit 2008, e ka dënuar 21-vjeçarin me gjashtë muaj heqje lirie për veprën penale të "Dezertimit".
Policia kishte siguruar informacione për vendndodhjen e të kërkuarit duke bërë të mundur dhe kapjen e tij ditën e djeshme në Babrru të kryeqytetit. Vitin e kaluar 21-vjeçari ishte larguar nga detyrimi i shpërbimit ushtarak gjë për të cilën u dënua me 6 muaj burgim.