Arsenal e Volfsburg, operacione blic për Canën
Gjiganti i futbollit anglez, Arsenali, pas dështimit për të marrë mesfushorin brazilian, Filipe Melo, tani i ka thyer sytë nga shqiptari i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana. Arsenali nuk ka arritur të gjejë soliditet në mesfushë, që nga koha e largimit të Patrik Viera në vitin 2005. "Gunner"-sat gjithashtu kanë nevojë për dikë, që të jetë partner me kapitenin Çesk Fabregas në qendër të mesfushës. Kapiteni i Marsejës, Cana, përshtatet në mënyrë perfekte. Shqiptari është agresiv, inteligjent, ka një pasim të shkëlqyer, është një lider i madh dhe shumë i mirë në dyluftime. Të gjitha këto tipare që i mungojnë mesfushës aktuale të Arsenalit. 25-vjeçari është në shënjestrën e një numri të madh klubesh, Liverpulit, Evertonit, Totenhemit, Volfsburgut, Hamburgut, Shtutgartit dhe Shaktar Donjetsk. Hamburgu është i vetmi që ka bërë një ofertë zyrtare prej 5 milionë eurosh për futbollistin kuqezi, por që është konsideruar qesharake nga Marseja. Sipas mediave gjermane, Volfsburgu tenton një operacion blic për të arritur një marrëveshje për mesfushorin e talentuar shqiptar. Kampionët e Gjermanisë kanë ndërmend të hedhin në tavolinë një ofertë prej 7 milionë eurosh. Por drejtuesit e Olimpikut tashmë kërkojnë 8 milionë. Ndërsa Arsenali ka shprehur gatishmërinë për të paguar 5-10 milionë sterlina për të bërë të vetin talentin shqiptar. Kjo shumë konsiderohet e përballueshme për skuadrën londineze. Sipas mediave angleze, Cana ka shprehur dëshirën për t‘u transferuar te "Gunners" dhe ka shtuar se do t‘i pëlqente të luante në Premier League. Nëse Arsenali arrin të nënshkruajë me futbollistin e Shqipërisë, ai do t‘i mundësonte më shumë liri Fabregasit dhe do të garantonte më shumë rrjedhshmëri në sulm. Pozicioni i Canës në fushë do të ishte mesfushor shkatërrues pas Nasri, Fabregas dhe Arshavin, të cilët do të ishin më të lirshëm të mendonin për sulmin. Këto janë arsyet përse Arsenali synon me ngulm të nënshkruajë me Canën, i cili pëlqehet prej kohësh nga trajneri Arsen Venger. Ndërkaq, sipas "France Football", Agim Cana, baba-menaxher i Kapitenit të Marsejës do të takohet sërish gjatë kësaj jave me drejtuesit e klubit të Hamburgut. Gjithsesi çështja e Canës ka shumë gjasa se do të zgjidhet gjatë kësaj jave.