Shqipëria humbet edhe tri vende në renditjen e FIFA-s
Edhe pse bëmë një paraqitje të mirë ndaj Portugalisë dhe nuk e merituam atë humbje të hidhur në fund, barazuam në miqësoren me Gjeorgjinë, por duket se kjo nuk ka ndikuar aspak në klasifikimin e Kombëtares sonë në renditjen e përmuajshme të FIFA-s. Organi më i lartë i futbollit në botë ka publikuar dje renditjen e ekipeve kombëtare për muajin qershor, ku Shqipëria ka hyrë në një spirale në rënie, pasi ka zbritur tri vende më poshtë. Kuqezinjtë pozicionohen të 95-t, duke grumbulluar 347 pikë, 53 pikë më pak se muajin maj, kur mbante vendin e 92. Tashmë përpara kemi Irakun (94) dhe prapa Sirisë (96). Ndërkohë që rikthehet pas dy vjetësh në krye të këtij klasifikimin Brazili, i cili vetëm pak ditë më parë fitoi edhe Kupën e Konfederatave. Renditja e 10 vendeve të para është Brazili (1), Spanja (2), Holanda (3), Italia (4), Gjermania (5), Rusia (6), Anglia (7), Argjentina (8), Franca (9), Kroacia (10).