Gilman Lika refuzon turqit e Bolusporit
Gilman Lika refuzon kalimin te Boluspor, klubi që militon në Ligën e Dytë turke. Pasi e mbyllën kampionatin e kaluar në vendin e tretë, tashmë drejtuesit e skuadrës kërkojnë përforcime për të synuar ngjitjen mes elitarëve. Njëri prej objektivave në merkaton e verës ishte edhe talenti i Kombëtares shqiptare. Edicionin e kaluar, Lika mbrojti ngjyrat e Haxhetepes, e pasi skuadra nuk arriti të siguronte mbijetesën në Superligë, tashmë mesfushori shkodran po shqyrton ofertat. Mungesa e akordit me Bolusporin ka ardhur kryesisht për shkak të ofertës jo të kënaqshme financiare dhe jo vetëm prej faktit se ata nuk luajnë mes më të mirave. Gjatë negociatave, palët nuk arritën të binin dakord për rrogën që do të përfitonte 22-vjeçari. Gjithsesi menaxheri i kuqeziut bëri të ditur se po diskuton me disa skuadra të tjera të interesuara.