E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet fëmija, pranga pengmarrësit

Policia e Lezhës ka liruar fëmijën e marrë peng dhe ka arrestuar autorin e kësaj pengmarrjeje. Ai është 24-vjeçari Gëzim Marku, i cili sipas burimeve policore, ishte shprehur se e kishte kryer këtë vepër penale, pasi dyshonte se 6-vjeçari M.P., ishte i biri. Uniformat blu kanë mbajtur të rrethuar gjatë gjithë natës Markun në shtëpinë e tij dhe më në fund, kanë arritur atë që ta bindnin që të lërë të lirë fëmijën pas 22 orëve, ku dhe i kanë vënë më pas prangat.

Autori kishte disa ditë që kishte dalë nga burgu dhe sipas deklarimeve të para, e kishte kryer këtë vepër, pasi dyshonte se 6-vjeçari ishte fëmija i tij. 24-vjeçari kishte udhëtuar deri në fshatin Kodërmalekaj ku banonte fëmija. Rreth orës 15:00, ai ka parë fëmijën dhe ka arritur që ta rrëmbejë atë. Më pas është nisur për në banesën e tij për në fshatin Gjadër. Pas konstatimit nga ana e familjarëve, për mungesën e 6-vjeçarit janë lajmëruar menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë nisur menjëherë nga kërkimet, që çuan në shtëpinë e Markut.

24-vjeçari me gjithë kërkesën e policisë, nuk ka pranuar që të lërë të lirë fëmijën. Policia ka vazhduar të negociojë për gati 22 orë me autorin e këtij rrëmbimi, me anë të telefonit. U desh gati një ditë me negociata që Marku më në fund të bindet dhe të lërë të lirë 6-vjeçarin, ndërsa policia ka bërë të mundur edhe arrestimin e tij. Ky i fundit kishte vetëm disa ditë që kishte dalë nga burgu. Në lidhje me këtë ngjarje, policia e Lezhës ka shoqëruar në komisariat edhe nënën e fëmijës, për të sqaruar lidhjet e saj me pengmarrësin. Sipas 24-vjeçarit, gjatë negociatave me policinë për lirimin e pengut me telefon, ai e kishte marrë fëmijën, sepse besonte se ky i fundit ishte i biri i tij.

Sipas burimeve policore nga të dhënat e para, rezulton se nëna e fëmijës dhe rrëmbyesi kanë pasur lidhje mes tyre, dhe pas grindjes, 24-vjeçari Gëzim Marku është hakmarrë duke i marrë peng fëmijën. Megjithatë, policia nuk ka një vërtetim të saktë për pretendimet e rrëmbyesit, tashmë të prangosur, në lidhje me këtë çështje.

Detaj

22 orë ka zgjatur odiseja e pengmarrjes së fëmijës

6 vjeç ka qenë vogëlushi, i cili është rrëmbyer nga Marku

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›