Topi: Azem Hajdari, lideri i demokracisë
Krerët më të lartë të shtetit kanë përkujtuar dje 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të liderit të lëvizjes studentore, Azem Hajdari. Presidenti Bamir Topi, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe Kryeministri Sali Berisha, kanë vizituar gjatë paradites së djeshme familjen Hajdari, teksa kanë vlerësuar veprën e tij gjatë viteve të para të pluralizmit politik. Presidenti Topi kujtoi gjatë vizitës në familjen Hajdari disa prej momenteve më të vyera dhe të pashlyeshme të punës dhe të miqësisë me Azemin, duke theksuar forcën e tij të personalitetit, kurajon dhe besimin te populli dhe e ardhmja demokratike e Shqipërisë, çfarë e vunë Azemin në krye të lëvizjes studentore të viteve '90-të, që do të mbetet në memorien tonë historike si një themel i fuqishëm i një epoke të re të zhvillimit kombëtar. "Dhjetë vjet sinqerisht janë shumë në kuptimin e viteve që kalojnë, por pa Azemin dhjetë vite konsiderohen shumë pak. Shumë pak, sepse jemi mësuar vazhdimisht në të gjithë aktivitetin tonë shoqëror dhe politik që Azemin ta kishim afër, jo si një person thjesht në qëndrimin e tij fizik, por ka qenë vërtet një lider. Jemi mësuar ta quajmë liderin e demokracisë, por ai kishte brenda një periudhe shumë të shkurtër, e kam thënë dhe vazhdoj ta them, një intensitet dhe një frekuencë të lartë në rritjen e pjekurisë së tij politike dhe shoqërore", u shpreh kreu i shtetit në një prononcim për mediat. Kurse kryeparlamentarja Topalli tha se, "Azem Hajdari ishte një politikan me aksion dhe intuitë të fortë politike, cilësi të rralla në kohërat e sotme. Edhe pse ai jetoi në ditë sfidash, mundi të përballojë me kurajo dhe besim çdo ngjarje të asaj kohe". Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se në këtë ditë shqiptarët nderojnë kujtimin e tribunit të lirisë, politikanit dhe personalitetit, që me guximin e tij të jashtëzakonshëm dhe me trimërinë legjendë, do të bënte të mundur në vitin 1990 që shqiptarët të njihnin, të takonin dhe të preknin lirinë. "Pikërisht në vitin 1990, Azem Hajdari shfaqet me guximin dhe trimërinë e tij në krye të lëvizjes studentore, lëvizjes më emancipuese në historinë tonë kombëtare, lëvizjes që me votën e lirë do të shembte diktaturën më të egër që Evropa kishte njohur, lëvizjes që do të ripërtërinte dhe do të rivendoste doktrinën e rilindësve tanë, doktrinën e vokacionit perëndimor të kombit dhe do të shpallte si të parë, çështjen kombëtare", theksoi kreu i qeverisë.