E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatë; Uli avionin pa leje në Rinas, gjykimi i shkurtuar për italianin Lubrano



Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet pranoi dje kërkesën e shtetasit italian, Antonio Lubrano, i pandehur në këtë proces, i akuzuar për veprën penale të “shkeljes së rregullave mbi fluturimet”, të parashikuar në nenin 299 të Kodit Penal, për t’u gjykuar përmes aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Pasi u pranua kërkesa, togat e zeza i dhanë leje përfaqësuesit të akuzës të lexojë kërkesën për gjykim. Sipas rrethanave të përshkruara nga prokurori i çështjes, kjo vepër penale është konsumuar nga biznesmeni Lubrano mesditën e 4 gushtit 2008, pasi me avionin e tij sportiv personal, është ulur në pistën e aeroportit të Rinasit, pa marrë më parë lejen e kullës së vrojtimit. Italiani, sipas akuzës, udhëtonte me një mjet fluturues që sipas hetuesve hyn në kategorinë "ultra leggere aero" (aeroplan super i lehtë). Këtë ulje pa leje, biznesmeni italian Lubrano e ka argumentuar si të detyrueshme, pasi avioni i tij kishte pësuar avari në motor dhe duhej patjetër të ulej, në të kundërt, rrezikonte të shpërthente në ajër. Sipas deklarimeve të të pandehurit që gjykohet në gjendje të lirë, ai bashkë me një mikun e tij ishte nisur po atë ditë nga shtëpia e tij në Itali me destinancion Greqinë, për çështje biznesi. Por, në momentin që ai po kryente fluturimin mbi bregdetin shqiptar, avioni pësoi defekt dhe ka kërkuar ulje të detyrueshme. Në mungesë të pistave të vogla të zbritjes, sipas deklarimeve të vetë të pandehurit, biznesmeni ka kërkuar ta ulë avionin e tij në pistën e aeroportit të Rinasit, por pa lejen e kullës së vrojtimit. Mosmarrja e lejes, sipas prokurorisë, është sqaruar pasi biznesmeni Lubrano kishte ngatërruar frekuencat e kullës shqiptare të vrojtimit, të cilat janë 870, ndërsa ai kërkonte komunikimin në frekuencat 870.05, në të cilën nuk i përgjigjej njeri. Në këto kushte, duke parë rrezikun e shpërthimit, biznesmeni Lubrano ka ulur aeroplanin e tij, menjëherë pasi kishte përfunduar zbritjen edhe aeroplani i kompanisë gjermane "Lufthansa". Ky manovrim i paparalajmëruar kishte alarmuar forcat e policisë, të cilët në pak minuta me ndihmën e forcave speciale kanë bllokuar aeroplanin e lehtë me dy pasagjerët brenda, duke bërë edhe arrestimin e tyre. Pas marrjes në pyetje, nga specialistët e anti-terrorit dhe përfaqësuesve të akuzës, është arritur të zbardhet edhe arsyeja e kësaj uljeje të detyrueshme. Pas mbarimit të deklarimeve të dy pasagjerëve, prokuroria i ka liruar të dy italianët, duke i lejuar edhe kthimin mbrapa për në vendin e tyre për t’u hetuar dhe gjykuar më pas në gjendje të lirë. Në kohën e marrjes së tyre në pyetje, dy ekspertë të aviacionit ushtarak janë angazhuar për të zbardhur avarinë e motorëve, të cilët edhe pse bënë këqyrjen mekanike të këtij aeroplani të lehtë, nuk arritën të saktësojnë shkakun e kësaj avarie.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›