E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsim Morinën, e rrahin keq

Dy persona ende të panjohur, me mjete të forta e kanë rrahur deri në alivanosje, mjekun Arsim Morina, drejtor në Klinikën e Neurokirurgjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Morina është qëlluar nga këta dy persona, të shtunën rreth orëve të pasdites, në hyrje të banesës së tij në lagjen Bregu i Diellit në kryeqytet.

Si pasojë goditjeve të forta që dyshohen të kenë qenë me shufra hekuri, drejtori Arsim Morina, buzën e lartë të anës së majtë e ka të shqyer, kurse në trupin e tij ka shenja të dhunës.

I shtrirë në banesën e tij, mjeku Morina rrëfen për Express tërë ngjarjen e asaj nate, të cilën ai e cilëson si shumë të rëndë e që ka mundur të jetë vdekjeprurëse.

Isha me disa qese në dorë, kur kam parë dy njerëz me tesha të errëta që më janë afruar dhe kanë nxjerrë mjete të forta. Fillimisht më kanë goditur në kokë e më pas në të gjithë trupin, thotë Morina.

Duke treguar shenjat e tij të dhunës në tërë trupin, dhe faktin e ka mbetur i shtrirë në shtëpi, drejtori shpjegon se pas rrahjes, sulmuesit kanë ikur me shpejtësi në drejtim të rrugës, e cila çon te Qendra e Re Tregtare.

Ai shpjegon se personat kanë pasur të veshur rroba të zeza, të cilat u ngjasojnë kompanive të sigurimeve që ruajnë objektet.

Fillimisht më kanë goditur në kokë, jam shmangur, më kanë qëlluar në anën e majtë të fytyrës, të cilën e kam të qepur. Pastaj edhe disa herë me mjete të forta më kanë goditur nëpër trup dhe jam alivanosur, thotë drejtori i Neurokirurgjisë.

Mjeku Arsim Morina shpjegon se rastin e tij të rëndë e ka lajmëruar menjëherë në Policinë e Kosovës, të cilët, sipas tij, kanë shkuar në vendin e ngjarjes pas një ore.

Policinë e njoftuam, ata kanë ardhur diku me mbi një orë vonesë. Më morën deklarata dhe prej të shtunës nuk kam asnjë informatë se çfarë kanë ndodhur me hetimet apo për ndonjë gjë tjetër, thotë mjeku tashmë i shtrirë.

Ndërkohë, familja Morina thotë se ata nuk kanë asnjë zënkë apo telash me ndonjë person.

Por gjatë dhënies së deklaratës në polici, drejtori i rrahur ka përmendur dy raste, të cilat ai dyshon se mund t`ia kenë sjellë këtë rrahje të papritur.

Gjatë javës së kaluar unë kam bërë padi për një person që ma ka uzurpuar pronën në Shtërpcë si dhe po ashtu kam kërkuar që një profesor të mos vazhdojë të japë mësim në Fakultetin e Mjekësisë, derisa gjykata të thotë fjalën e fundit, tregon Arsim Morina, duke mos dashur të përmendë emra.

Në lidhje me këtë rast, zyrtarë për media në QKU, nuk e kanë konfirmuar rastin e rrahjes së drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë, duke thënë se kjo ka ndodhur jashtë institucionit shëndetësor.

Por Policia e Kosovës ka konfirmuar rrahjen e drejtorit nga disa persona tash për tash të panjohur. Të shtunën rreth orës 17 e 45 minuta është raportuar një rast me lëndime trupore, thonë zyrtarë të policisë, përgjegjës për rajonin e Prishtinës, pa dhënë detaje të tjera.

Sulmin ndaj tij, mjeku Morina e ka vlerësuar si stopim të shprehjes së guximit intelektual dhe qytetar. Më këtë mundohet që guximi njerëzor dhe intelektual të shuhet. Kështu e vlerësoj unë. Por përkundrazi, me këtë nuk mund ta shuajnë këtë, thotë ai .

Policia duhet të zbardhë sa më parë rastin, sepse këto grupe që po rrahin njerëz, po inkurajohen meqë nuk po zbardhen rastet, thotë mjeku Arsim Morina.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›