Basha në Lezhë, për të vëzhguar situatën pas përmbytjeve
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, udhëtoi në Lezhë për të kontrolluar situatën pas përmbytjeve të ditëve të fundit në këtë qark. Ministri e cilësoi si situatë specifike problemin e krijuar me rreth 40 banesa në Shëngjin, Laç, Fushëkuqe etj., të cilat kanë pësuar dëme në shkallë të ndryshme për shkak të përmbytjes. “Kjo është situata më problematike që paraqitet për momentin jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por në shkallë vendi. Situata po monitorohet hap pas hapi. Për secilën prej banesave janë inventarizuar dëmet dhe ku ka pasur nevojë për ndihmë të menjëhershme, menjëherë është dhënë ndihma e duhur nga strukturat e emergjencave civile dhe nga pushteti vendor”, - u shpreh ai. Basha kreu një kontroll edhe në hidrovorin në fshatin Tale dhe funksionimin e kanaleve kullues. Ai u bëri një thirrje të veçantë të gjitha strukturave në nivel qarku dhe drejtuesve të pushtetit vendor, që të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet për përballimin e çdo situate emergjente.
Gjatë kontrollit të kryer, ministri i Brendshëm kërkoi që koordinimi i detyrave të jetë në nivelin e kërkuar për t’iu paraprirë emergjencave që mund të krijohen. “Nuk e cilësoj këtë si gjendje të emergjencës së rënduar, por duhet të jemi syçelur, pasi moti vazhdon të jetë me reshje konstante dhe për këtë arsye, koordinimi i detyrave si në Lezhë edhe në të gjitha qarqet e tjera është i domosdoshëm për t’i paraprirë situatës”, - përfundoi ai.