E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në familje, 2 mijë raste në dyert e policisë

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-03-2011 15:50

Rritet numri i grave që marrin guximin të denoncojnë dhunën në familje, çka ka bërë që ky fenomen të kapërcejë tashmë muret e shtëpisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Punës, gjatë vitit 2010 janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit 1998 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë vitit të mëparshëm numri i regjistruar ka qenë 1217 raste. Përkundrejt rritjes së denoncimit të dhunës në familje, në të njëjtin ritëm ka ecur edhe marrja në mbrojtje e viktimave të saj. Bazuar në raportin vjetor të monitorimit të objektivave të strategjisë kombëtare të barazisë gjinore dhe dhunës në familje, janar-dhjetor 2010, gjatë vitit të kaluar janë përgatitur rreth 1234 kërkesë-padi “Për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes/urdhrit të mbrojtjes, ndërsa gjatë vitit 2009 janë lëshuar 841 kërkesa të tilla. Përsa i përket viktimave më të shumta në numër, nga të dhënat statistikore të vitit 2010 konstatohet se dhuna në familje është një fenomen që ushtrohet kryesisht ndaj bashkëshorteve femra. Kështu, gjatë kësaj periudhe rezultojnë të dëmtuara nga dhuna e bashkëshortëve/partnerëve 1279 bashkëshorte-femra, ose 63.5% e numrit të përgjithshëm të personave të dëmtuar nga dhuna në familje. Ndërsa të dëmtuara, femra janë gjithsej 1660 raste ose 83% dhe meshkuj 338 raste ose 17%. Po ashtu, sikur të mos mjaftonte ushtrimi i dhunës në ambientet familjare, gjatë vitit 2010 janë evidentuar edhe 20 raste të vrasjes në persona me lidhje familjare, ku në 10 rastet viktima është bashkëshortja dhe në 10 raste persona të tjerë të familjes. Ndërkaq, megjithë lëshimin e urdhrave të mbrojtjes nga gjykatat, janë evidentuar edhe raste kur dhuna ndaj viktimës është e përsëritur (254 raste të evidentuara), si dhe raste kur urdhrat e mbrojtjes shkelen nga dhunuesit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2010 janë konstatuar 93 raste të shkeljes së urdhrave të mbrojtjes nga dhunuesit. Shifrat zyrtare për fenomenin e dhunës në familje, që tashmë nuk i përket më vetëm katër mureve të shtëpisë, megjithëse janë të shumta rastet kur kjo dhunë mbetet e padenoncuar për shkak të frikës që femrat kanë nga dhunuesi, që në të shumtën e rasteve është bashkëshorti i tyre, janë publikuar dje nga Ministria e Punës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore. Mbledhja e katërt e këtij Këshilli është bërë pikërisht dje, një ditë përpara 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, e cila është një ditë që sjell në vëmendjen e shteteve, shoqërive dhe të gjithë opinionit publik se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut dhe si të tilla duhet të respektohen. Mbledhja u drejtua nga zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, i cili theksoi rëndësinë që merr angazhimi institucional dhe i shoqërisë civile në vend për realizmin e barazisë gjinore dhe luftën ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare në kuadër të integrimit europian të vendit. Numri dy i Punës shprehu shqetësimin e institucioneve politikbërëse për arritjen e përmbushjes së detyrimit ligjor për realizimin e kuotës 30% në listat e kandidatëve që partitë politike do të paraqesin për këshillat bashkiakë dhe komunalë në zgjedhjet e 8 Majit, shqetësim me të cilin u bashkuan të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe shoqërisë civile.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›