Arsimi, Rama: Dialog pa mbarim
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama prezantoi dje librin "Arsimi, ndryshimi që duam". Në prani të një numri të madh pedagogësh, mësuesish, studentësh, pjesëtarë të shoqërisë civile, kryetari socialist ka shprehur vlerësimet e tij rreth angazhimit të një numri të madh ekspertësh në mbledhjen dhe përpunimin e strategjisë së PS-së për arsimin. Duke shprehur dhe karakterin e dialogut të specialistëve me qytetarët, duke mospërjashtuar edhe atë për arsimin, Rama tha se, "për mënyrën se si ka zgjedhur të qeverisë politika e re e Partisë Socialiste, kuvendimi me shqiptarët është tashmë një 'endless story'. Një histori pa mbarim, jo si ajo e Michael Ende-s, që u vlen fëmijëve për t'ua grishur fantazinë. Është historia pambarim e këtij vendi, që do të dalë më në fund nga pellgnaja e trishtë e tranzicionit e do të rendë i lirë dhe i zoti, i aftësuar falë dijes në fuqitë e veta, drejt rrugës së integrimit, të mirëqenies dhe qytetarisë".
Libri i prezantuar dje ishte produkt i Konferencës Kombëtare për arsimin, zhvilluar vitin e kaluar në qytetin e Durrësit, ku ekspertë, pedagogë dhe mësues kanë dhënë sugjerimet e tyre se si mund të dilet nga gjendja në të cilën ndodhet arsimi në Shqipëri. Janë 40 ekspertë që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë libër, duke hapur kështu dhe rrugën e hartimit të programit të ri qeverisës të socialistëve. Në parathënien e librit sqarohet se, "ky libër nuk është program, ky libër nuk është një studim, ky libër nuk është një rrëfim, ky libër është një fakt jetësor në rrugën e re të Partisë Socialiste. Këtu janë mbledhur pak nga mijëra kontribute të kësaj rruge". Edi Rama tha dje se përmbledhja e këtij libri ka ardhur pas një turi shumë të gjatë takimesh dhe tryezash mes profesionistëve. "Mund t'ju them sot jo pa krenari, se në këtë kuvendimin tonë të deritanishëm për punë të arsimit, jemi ndalur në të gjitha qytetet dhe bashkitë e Shqipërisë, përmes 92 tryezash debati, 12 rajonale dhe 68 në bashki e komuna, plus 12 të tjera rajonale, pa llogaritur këtu gjithë konsultat e vijuara me ekspertët vendas e të huaj, të politikave arsimore. Për të dhënë një shifër të përafërt, mund të them se në këto 92 tryeza, komunikuam me mbi 3200 mësues dhe administratorë të sistemit shkollor, publik dhe privat, përpos prindërve, nxënësve dhe studentëve", tha Rama.