Topalli hap faqe personale në internet
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, hap një faqe të saj në internet në prag të fushatës elektorale, duke ndjekur shembullin e politikanëve të tjerë në botë. Më adresën e saj të re, www.jozefinatopalli.al pasqyron të gjithë aktivitetin e saj politik dhe si Kryetare e Kuvendit. Gjithashtu Topalli ka hedhur edhe në youtube të gjitha takimet e realizuar me drejtuesit e lartë të shteteve, ku nuk mungojnë fotoja me ish-presidentin amerikan Xhorxh W Bush. "Kjo faqe interneti është një ftesë e hapur për një komunikim më të afërt dhe më intensiv me të gjithë ju qytetarë të nderuar që dëshironi të informoheni, të ndani idetë dhe shqetësimet tuaja me mua si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si Nënkryetare e Partisë Demokratike por edhe si bashkëqytetarja juaj", shkruan Topalli në fjalën e mirëseardhjes. Ndërsa fton të gjithë personat nëpërmjet kësaj faqeje të futen në forume për të debatuar për çështje të ndryshme. Një vëmendje të veçantë si dritare i kushtohet historisë së Shkodrës, e mbiquajtur "Qyteti im". Në dritaret e tjera ka si opsione aktivitetin politik dhe parlamentar, brenda dhe jashtë Shqipërisë.