“PSD, garancia e së majtës”, slogani i PSD-së për zgjedhjet e qershorit
Partia Socialdemokrate prezantoi sloganin “PSD, garancia e së majtës”. Ky do të jetë slogani me të cilën kjo forcë politike do të futet në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, në ditën e dytë të punimeve të Kongresit u shpreh se slogani i ri shpreh më së miri rolin që PSD-ja ka luajtur gjatë këtyre viteve si aleati më besnik i PS-së. Gjinushi tha se së shpejti PSD-ja do të nënshkruajë edhe një marrëveshje bashkëpunimi me PS-në për zgjedhjet parlamentare. Në lidhje me postet qeveritare që kjo parti do të marrë në rast se e majta fiton, Gjinushi deklaroi se PSD-ja e sheh marrjen e pushtetit si marrje përgjegjësie dhe jo ndarje karrigeje. “Për ndarje tjetër ne ja kemi marrë dorën dhe nuk jemi si disa që taktikat para elektorale i shohin për pazare”, - tha Gjinushi. Kreu i PSD-së la të hapur mundësinë e bashkëpunimit të koalicionit të majtë me PBDNJ-në. Ai u shpreh PSD-ja do të marrë një ose dy deputetë për çdo qark. “Synimi ynë është i qartë. Ne do të marrim nga zgjedhjet e qershorit deri në 100 mijë vota”,- tha Gjinushi. Kryetari i PSD-së foli edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me çështjen “Basha”. Gjinushi tha se vendimi i Gjykatës së Lartë ishte i drejtë dhe Prokuroria fitoi të drejtën për të qenë vërtet Prokurori. Kongresi miratoi edhe programin me të cilën PSD-ja do të futet në zgjedhje.
2 Maj 2009