E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pensionet në fshat e qytet, të njëjta”

 

SHPRESA DINE /sarande

E organizuar si ditë feste, ku të gjithë festonin falë edhe ditës së bukur dhe me diell të nxehtë, është çelur paraditen e së shtunës në Sarandë sezoni i ri turistik "Verë 2009". Në hapjen e këtij sezoni ka marrë pjesë vetë Kryeministri Berisha, i shoqëruar edhe nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku dhe nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, pasi ka përshëndetur Kryeministrin Berisha dhe pjesëmarrësit në çeljen e sezonit turistik "Verë 2009" ka thënë se, kjo ditë tashmë është bërë mbarëpopullore. Saranda në këtë sezon është më e përgatitur se një vit më parë. Në 2008 u frekuentua qyteti nga më shumë se 300 mijë turistë, nga 100 vende të botës. Gati 50 për qind më shumë turistë se një vit më parë. Kryeministri Berisha duke folur para sarandiotëve që kishin mbushur sheshin para limanit të qytetit e  ka quajtur Sarandën metropolin e bukurisë turistike shqiptare. Çelim sezonin turistik në Sarandë por edhe në mbarë Shqipërinë, ka vijuar më tej Kryeministri Berisha. Ky është sezon që pritet të presë miliona qytetarë nga mbarë bota dhe do t'u ofrojmë atyre bukurinë, ujërat e kthjellëta dhe të pastra. Shqipëria, tha Berisha, ka potenciale të mëdha zhvilluese por më të mëdhatë i ka në turizëm. Në vitin 2004 në Shqipëri kanë hyrë për gjatë 12 muajve, 300 mijë turistë kundrejt 2.7 milionë që hynë vitin e kaluar. Qeveria ime nuk do të lerë përpjekje pa bërë për një Sarandë të bukur, të pastër, dhe të pushimeve të këndshme, premtoi Kryeministri Berisha. Në qershorin e këtij viti përfundon rruga e bregdetit. Me shpejtësi po ecën rruga Kardhiq - Delvinë. Saranda dhe Ksamili ka të gjithë mundësitë për t'u bërë një nga qendrat më të fuqishme dhe mëdha të turizmit, jo në Ballkan por dhe më gjerë. Duke vazhduar më tej, Berisha tha se në këto katër vjet vendi është shndërruar në kantier të vërtetë në ndërtimin e rrugëve. Për energjinë elektrike Berisha duke premtuar tha se, "nuk do të ketë kurrë ndërprerje të energjisë elektrike, përderisa do të ketë tregu ballkanik energji në shitje". Ai shtoi se "4 vjet më parë, ne ju premtuam pensionistëve në mbarë fshatrat e Shqipërisë se do të dyfishojmë pensionet". "Tani, ata që do të marrin pensionet në fshatin shqiptar do të marrin dy herë më shumë, sesa merrnin 4 vjet më parë. Kjo do të thotë se edhe 170 mijë qytetarë të vendit, që jetonin nën 2 dollarë në ditë, pra në varfëri, të dalin nga varfëria dhe u jap fjalën se qeveria ime do t'i barazojë pensionet e tyre me pensionet e qytetit. Ne premtuam se në 4 vite në qytet nuk do të ketë pensione nën 100 dollarë dhe kam kënaqësi të pohoj këtu se me rritjen e pensioneve në maj, nuk ka pensione nën 124 dollarë në qytetet e Shqipërisë. Unë nuk them se i kemi zgjidhur të gjitha problemet, por në paga e pensione kemi tejkaluar 30 për qind vendet që kanë qenë shumë më të zhvilluara se ne, si Rumania, Bullgaria e vende të tjera. Ju jap fjalën se rritja e pagave dhe pensioneve tuaja është e do mbetet qëllim madhor i politikës sime", tha Berisha. Ai shtoi se "Në qoftë se në këto vite, kaluam 3-4 vende të BE-së, absolutisht, në 4 vitet që vijnë do të barazohemi me vende të tjera, të cilat vetëm 10 vjet më parë ishin shumë herë më të zhvilluara sesa ne. Thellim madhor i politikës sime në të ardhmen do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve. Po shkojmë drejt një mandati të dytë, duke i kërkuar votën çdo shqiptari që ndjehet se jeta e tij ka ndryshuar për mirë. E pamëshirshme do të jetë lufta ime kundër varfërisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›