E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kunata e deputetit:Vrasësit i thanë diçka Fatmirit para se ta qëllonin

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Deputeti u thirr në emër nga autori. Një fjali ka pasuar e më pas breshëria e kallashnikovit tronditi zonën.  Kunata e Fatmir Xhindit është i vetmi dëshmitar i ekzekutimit, pasi ka dëgjuar zërin e personit që qëlloi për vdekje 49-vjeçarin. Të afërm të familjes Xhindi pohuan mbrëmë për gazetën se gruaja ka fiksuar një zë burri, i cili ka thirrur: O Fatmir!
Dritarja e shtëpisë së vëllait të deputetit ndodhej në krah të rrugës, pikërisht ngjitur me vendin ku u qëllua ai. Sipas burimeve të familjes, kunata është shprehur se është krijuar një pauzë e shkurtër, është thënë një fjali që ajo nuk ka mundur ta perceptojë e më pas plumbat. Pikërisht kjo grua ka qenë e para që ka dalë jashtë, ku ka parë trupin e kunatit të qëlluar nga arma e zjarrit. Për policinë nuk ka asnjë dyshim se autori e ka ndjekur në çdo lëvizje të tij deputetin socialist, Fatmir Xhindi. Gjatë ditës së djeshme, Xhindi mësohet se ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në fshatin e tij të lindjes, Kurjan. Familjarët treguan për policinë se paradite Xhindi ndodhej në Fier. Rreth orës 14:00 ai ka njoftuar se ndodhej në Kurjan, aty ku kishte në pronësi një sipërfaqe me ullishte, për të cilat është kujdesur deri në orët e vona. Mësohet se gjatë vizitës në Kurjan është takuar dhe me banorë të zonës, ku ka zhvilluar biseda miqësore me to dhe jozyrtare. Në mbrëmje ka nisur udhëtimin drejt shtëpisë së tij në Roskovec. Banorë të qytetit thanë mbrëmë se kur është kthyer nga Kurjani, deputeti është ndalur te një kafe në qendër të tij, shumë pranë shtëpisë dhe gjimnazit njëkohësisht. Gjatë kësaj kohe ka qenë i vetëm dhe po i vetëm me makinë i është drejtuar pas orës 21:00 banesës. Ai ka parkuar mjetin dhe ka hyrë brenda oborrit të ndërtesës 2-katëshe. Në ato momente, një person mendohet të ketë dalë pas mureve të gjimnazit ku ishte fshehur. Për të ndalur deputetin ai i ka thirrur në emër e më pas e ka qëlluar. Asnjë dëshmitar nuk ka qenë në rrugë në ato momente ose të ketë vënë re lëvizje të dyshimta para apo pas krimit. Familja e Fatmir Xhindit jetonte në një ndërtesë dykatëshe, shumë pranë qendrës së Roskovecit. Ndërsa banesa ku jetonte familja e vëllait të tij ndodhej ngjitur, e në mënyrë diagonale me gjimnazin e qytetit, prej nga doli autori. Nuk dihet sesa persona kanë marrë pjesë në krim, por veç ekzekutorit të tjerë dyshohet se e kanë ndihmuar për t'u arratisur.

“U vra një përfaqësues i popullit”
Kryetari socialist Edi Rama ishte mbrëmë në familjen e Fatmir Xhindit, ku ka ngushëlluar familjarët. Rama u shpreh se "është një ngjarje e rëndë sa s'ka më! Është vrarë një qytetar, i cili përfaqësonte shumë qytetarë të tjerë, jo thjesht një njeri si të tjerët. Duke pritur me padurim zbardhjen e rrethanave, ne jemi këtu për t'i shprehur solidaritetin tonë familjes së mikut tonë të ndjerë e për t'ua lehtësuar sadopak dhimbjen e tmerrshme e tronditëse për të gjithë vendin. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë për të nxjerrë konkluzione të shpejta për komente të lehta. Krimi duhet zbardhur sa më parë", u shpreh kryetari socialist. Edhe Kryetarja e Grupit Parlamentar socialist Valentina Leskaj, e cila ishte pranë familjes së viktimës, e cilësoi ngjarjen shumë të rëndë, por u shpreh se mungon informacioni rreth ngjarjes.

“Fatmiri nuk ishte me mua në takime”
Kryetari i Asamblesë Kombëtare Socialiste, Gramoz Ruçi, i deleguari i kryesisë socialiste në qarkun e Fierit, e cilësoi dje vrasjen e deputetit Xhindi si të kobshme. "Fatmirin e kam takuar para 3 ditësh. Sot unë isha në një takim në komunën e Libofshës me deputetë të tjerë, ndërsa Fatmiri nuk ishte me ne sot. Dje nuk kisha asnjë kontakt me të. Sapo jam kthyer në Tiranë mora vesh lajmin e rëndë dhe jam nisur për në Roskovec. Është një ngjarje e tmerrshme", tha Ruçi. Ish-kryetari i Grupit Parlamentar socialist ka pasur marrëdhënie mjaft të mira me Xhindin. "Kam kohë që njihem. Qetësia, maturia ishin cilësi që e dallonin. Ai përcillte te të tjerët vetëm mirësi. Përjashtoj çdo lloj konflikti. Ai njihet si një simbol i mirësisë dhe s'mund të gjykoj për pista. Jemi duke pritur informacionet përkatëse", tha dje Ruçi.

“Një akt i shëmtuar e barbar”
Kryeministri Sali Berisha  në lidhje me ngjarjen deklaroi se "vdekja e deputetit Fatmir Xhindi, nga një akt kriminal dhe barbar është një ngjarje e rëndë, shokuese për Fierin dhe për mbarë vendin". "Kryeministri dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal të shëmtuar dhe i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, PS dhe Parlamentit. Kryeministri i siguron se qeveria do të marrë të gjitha masat dhe do të bëjë çdo përpjekje që autorët e këtij akti mizor të gjenden sa më parë dhe të vendosen para drejtësisë", thuhet në deklaratë. Kryeparlamentarja Topalli ka shkuar në Roskovec për të ngushëlluar familjen e të ndjerit. "Deputeti Xhindi është një koleg i imi dhe e kuptoni sa e tronditur jam unë. Është një akt kriminal jashtëzakonisht i rëndë. Jam e bindur se organet kompetente do të bëjnë të pamundurën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje", tha Topalli.

Precedenti
Vrasja e Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998

Më 12 shtator 1998, teksa po dilte nga selia e PD-së, deputeti demokrat Azem Hajdari u qëllua me breshëri automatiku. Lideri i dhjetorit u qëllua pak metra larg selisë blu, gjatë daljes për t'u takuar me disa persona që e kishin telefonuar. Si pasojë e plagëve të marra në trup, deputeti demokrat Azem Hajdari vdes disa orë pas dërgimit për në Spitalin Ushtarak. Njëkohësisht vdiq dhe truproja Besim Çera, ndërsa Zenel Neza është plagosur rëndë. Po në shtator të vitit 1997, deputeti Azem Hajdari u plagos në korridoret e Parlamentit shqiptar. Ai u qëllua nga deputeti i PS-së i asaj kohe, Gafurr Mazreku. Hajdari ishte i pari deputet që u vra me armë zjarri, pas vendosjes së sistemit të pluralizmit në Shqipëri.

Shtetrrethim në Fier, por edhe në Vlorë e Lushnjë
Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi e kaloi Fierin mbrëmë në një shtetrrethim. Postblloqe të shumta u krijuan jo vetëm në hyrje -daljet e qytetit, por edhe brenda Fierit. Ndërkohë policia kaloi në sitë çdo automjet të dyshuar duke kryer në to kontrolle të rrepta. Një masë e tillë e policisë u mor pasi autorët deri pas mesnatës së mbrëmshme ishin të paidentifikuar. Postblloqe dhe kontrolle u kryen edhe në aksin që lidhet Fieri me Lushnjën, si dhe pjesa tjetër e rrugës së Levanit, e deri në Vlorë. Për këtë shkak u vunë në dispozicion edhe policitë e disa rretheve, me qëllim që të mos lejonin autorët të dilnin jashtë rrethimit. Edhe policia e Vlorës vuri postblloqe në hyrje e daljen e qytetit të saj, pasi dyshohej se autorët mund të tentonin të dilnin nga Fieri gjatë natës. E njëjta situatë është paraqitur edhe në policinë e Lushnjës për të mos lënë autorët të largohen. Por megjithë kontrollet e kryera. Deri në orët e para të mëngjesit, policia ende nuk e kishte prangosur autorin e ekzekutimit të deputetit.

Ekzekutohet deputeti Fatmir Xhindi

FIER/ MAJLINDA RAMA

Ekzekutohet deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Gjashtë plumba kallashnikovi e kanë përshkuar trupin e 49-vjeçarit rreth orës 21:15, brenda oborrit të shtëpisë së tij, në Roskovec të Fierit.
Ngjarja ka ndodhur pikërisht në kohën kur televizionet po transmetonin dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe një spektakël me audiencë të lartë. Kohë ideale për një krim. Një person që ka ndjekur çdo lëvizje të deputetit, baba i tre fëmijëve, ka pritur sapo Xhindi të hapte derën e më pas ta qëllonte me breshëri. Autori dyshohet se ka dalë nga oborri i gjimnazit të Roskovecit, rreth 30 metra larg shtëpisë së deputetit. Muret e gjimnazit e kanë fshehur atë, deri në momentin kur ka dalë për të kryer ekzekutimin, pa asnjë dëshmitar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoje arme, ndërsa shumica e tyre dëpërtuan trupin e deputetit. Autori ka arritur të largohet në këmbë nga vendi ku ndodhi krimi, për të mos u zbuluar deri në orët e para të ditës së sotme. Ai ka shfrytëzuar errësirën e natës dhe faktin që zona kishte bunkerë e shumë ndërtime të shembura. Familjarët e Xhindit kanë dalë me shpejtësi jashtë, ku kanë parë të mbuluar në një pellg gjaku trupin e njeriut të tyre. Me shpresën se ai mund të mbijetonte e kanë nisur me urgjencë drejt spitalit të Fierit. Sipas burimeve të policisë së shtetit, një patrullë e qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos ka konstatuar faktin që familjarë të deputetit Fatmir Xhindi po e  transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit. Megjithë angazhimin e mjekëve, 49-vjeçari ndërroi jetë brenda pak minutash. Sapo është mësuar për ngjarjen e rëndë, drejtues të lartë të Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet. Drejt vendngjarjes u nisën forca të shumta policie, mes tyre dhe specialët e RENEA-s, që u vunë në ndjekje të autorit. Ekspertët gjetën në vendngjarje 10 gëzhoja të shpërndara pranë shtëpisë së Xhindit, por këto ishin shenja të vetme të krimit të mbrëmshëm. Përballë misterit të motiveve dhe autorit të vrasjes së deputetit, policia ka shoqëruar familjarë e të afërm të tij nga Roskoveci, por dhe nga fshati Kurjan, ku ai kishte kaluar ditën e djeshme. Deri në mëngjes, arsyet ishin ende të pazbardhura. Asnjë nga drejtuesit e policisë apo politikanët nuk ka dhënë pista, duke ia lënë hetimit në dorë për të nxjerrë përfundimin. Sipas kryepolicit Ahmet Prençi, grupi hetimor po angazhohet maksimalisht për të hedhur dritë mbi krimin ndaj përfaqësuesit të legjislativit, duke thirrur dëshmitarët dhe personat që kanë dijeni për të. 

Profili i 49-vjeçarit me tre fëmijë
Xhindi, mësuesi që përfaqësonte Roskovecin në Kuvend që në 1997

Deputeti socialist Fatmir Xhindi ka lindur në Roskovec të Fierit, më 1 prill 1960, ku dhe banonte bashkë me familjen e tij dhe ishte babai i tre fëmijëve. Ai ishte deputet i grupit parlamentar të Partisë Socialiste që prej vitit 1997, duke qenë pjesë e këtij grupi prej tre legjislaturash të njëpasnjëshme. Xhindi ka mbaruar në vitin 1986 Universitetin "Eqerem Çabej", Fakulteti Histori-Gjeografi, dega Histori, në Gjirokastër. Në vitin 2003 Fatmiri do të mbaronte edhe Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Tiranës. Por kualifikimet e tij nuk do të mbaronin këtu. Në vitin 2005, ai do të mbronte titullin Master për Shkencat Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë. Menjëherë pas diplomimit të tij, në vitin 1986, Fatmiri do të emërohej mësues historie në fshatin Vlosh të rrethit Fier dhe deri në vitin 1989 ai do të shërbente si drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Kurjan, Fier. Gjatë viteve 1989-1991, drejtori i shkollës do të zgjidhej kryetari i Këshillit të Bashkuar Kurja. Nëse do të shihnim veprimtarinë e tij politike, Fatmir Xhindi është një nga themeluesit e Partisë socialiste në qytetin e Fierit në vitin 1991 dhe që prej atij viti është anëtar i saj dhe i zgjedhur në forumet drejtuese të kësaj partie në Fier dhe më pas në Tiranë. Historia e tij politike është një histori garash elektorale, por e lidhur ngushtë me vendlindjen e tij dhe komunën ku ai ka punuar. Përveç Roskovecit, ku ai është rritur dhe ka banuar familja e tij, Fatmiri ka qenë shumë i lidhur dhe me fshatin Kurjan ku është emëruar për herë të parë si mësues menjëherë pas diplomimit të tij. Nga viti 1992-1996, Fatmir Xhindi është zgjedhur kryetar i komunës Kurjan, Fier dhe më pas ai ka qenë i zgjedhur në forumet qendrore të Partisë Socialiste e më pas deputet i saj. Fatmiri u zgjodh për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1997, me shumicë absolute votash të zonës së tij elektorale. Ky rezultat i dedikohej reputacionit mjaft të mirë që ai kishte në këtë zonë, ku ishte vlerësuar që nga pozicioni i mësuesit e deri në kryetar komune dhe anëtar i forumeve drejtuese të PS në rrethin e Fierit. Ky reputacion dhe lidhja shumë e ngushtë me zonën e tij elektorale, bënë që ai të zgjidhej edhe dy legjislacione të tjera, në 2001 dhe 2005. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, Fatmiri ishte sërish deputet në zonën 68 për herë të tretë duke fituar me 6708 vota ose 45 për qind. Fatmir Xhindi ishte anëtar i Asamblesë Kombëtare socialiste që prej 1997, kur dhe u zgjodh për herë të parë deputet. Në këtë legjislaturë, Fatmiri ishte anëtar i Komisionit Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Por ai ka marrë pjesë një vit më parë dhe në Komisioni hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave" si anëtar i tij. Deputeti i Fierit, i cili cilësohet nga të paktët ligjvënës të Kuvendit, që nuk u shpërngulën nga zona e tyre elektorale drejt Tiranës, është cilësuar shumë herë si deputeti modest. Por ai ka qenë vazhdimisht brenda vendimeve politike të ndërmarra nga grupi parlamentar socialist. Madje në protestat e opozitës në Kuvend në 2006, për procedurat parlamentare, ku nuk munguan bilbilat dhe bllokimet e seancave, Fatmir Xhindi dhe disa deputetë të tjerë janë paditur nga Garda e Republikës së Shqipërisë, për shkak të protestës që ata kanë zhvilluar në sallën e Kuvendit. Bashkë me deputetin Petro Koçi dhe Sadri Abazi, ata u paditën nga garda se kishin futur në sallë një megafon dhe bilbila, duke prishur kështu rendin dhe qetësinë në seancën plenare të Kuvendit. Gjatë tre legjislaturave, kur Fatmiri ishte deputeti që nuk mbahet mend të jetë konfliktuar ndonjëherë me kundërshtarin politik, ndërsa është karakterizuar nga qetësia dhe një lloj mirësie dhe respekti nga të gjithë deputetët e Kuvendit, edhe ata të krahut të djathtë.  

Vrasja e deputetit, tension në spitalin e Fierit
Situata në Roskovec dhe në spitalin e Fierit mbrëmë ka qenë mjaft e acaruar. Jo vetëm familjarët, të cilët nuk kanë lejuar mediat të afrohen, por edhe qytetarë e simpatizantë të PS-së janë mbledhur duke krijuar një atmosferë mjaft të ndezur. Policia e Fierit, duke parë gjendjen e krijuar vuri në dispozicion të gjitha strukturat e saja me qëllim që të mos krijoheshin incidente të tjera për shkak të situatës së acaruar. Ajo ishte e pranishme gjatë gjithë kohës për të evituar ndonjë përplasje të mundshme. Në vendin e ngjarjes mbrëmë u mblodhëm mjaft qytetarë, ndër të cilët nuk munguan as akuzat e hamendësimet për motive të mundshme politike të kësaj ngjarjeje. Gjithsesi, policia që ishte prezente nuk lejoi që situata të precipitonte me incidente të tjera. Në spitalin e Fierit familjarët e viktimës Fatmir Xhindi, ishin mjaft të irrituar. Gratë nisën kujën nga kjo ngjarje tepër e rëndë në familjen e tyre. Ndërsa spitali ishte rrethuar gjithashtu me forca të shumta të policisë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›