E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, 10 shkallë më keq

 

BLEDAR HOTI

Shqipëria zbret 10 shkallë nga niveli i korrupsionit në sonda-zhin e kryer nga Tansparency International për raportin e vitit 2009. Në bazë të këtij raporti vjetor, Shqipëria në krahasim me vitin e kaluar është në vendin e 95-të në listën e 180 vendeve që u përfshinë në këtë indeks, sa i përket nivelit të perceptimit të korrupsionit në sektorin publik. Në vitin 2008 Shqipëria ishte e renditur në vendin e 85-të me një vlerësim prej 3.4 pikësh. Për këtë vit nga vlerësimi nga 10-0 pikë, vendi ynë ka një vlerësim prej 3.2 pikësh. Raporti i TIA-s u bë prezent nga përfaqësuesi i saj, Endrit Shabani tha se: “Në tërësi rezultatet e indeksit 2009 janë shqetësuese. Ato tregojnë se korrupsioni vazhdon të jetë aty ku qeveriset pa transparencë, aty ku institucionet kanë nevojë ende për forcim dhe ku qeveritë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor antikorrupsion”. Shqipëria shënon 3.2 pikë në indeksin e perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009, nga 3.4 që ishte për vitin 2008, me gjashtë burime të dhënash me standardin e devijimit 0.3 (minimumi  2.8 dhe maksimumi 3.6). Në zonën e Euro- Azisë, Shqipëria renditet e teta mes 20 vendeve. Vendin e parë në rajon e ka Turqia me 4.4 pikë e pasuar nga Kroacia 4.1. Pikët më të larta në CPI 2009 i ka marrë Zelanda e Re me 9.4; Danimarka me 9.3, Singapori e Suedia me 9.2; dhe Zvicra me 9.0. Këto pikë reflektojnë stabilitet politik, norma ligjore të qëndrueshme mbi konfliktin e interesit, si dhe institucione publike solide e funksionale. Shqipëria është renditur e parafundit sa i përket rajonit ballkanik, si vendi më i korruptuar. Kështu Serbia është pozicionuar në vendin e 83 me koeficient 3.5, Rumania, Greqia e Maqedonia dhe Bullgaria në vendin e 71 me një koeficient 3.8. Ndërsa Mali i Zi është renditur në vendin e 69 me një koeficient 3.9, Kroacia në vendin e 66 me koeficient 4.1 Shqipëria lë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, e pozicionuar në vendin e 99-të me koeficient 3. Sipas Shabanit, beteja antikorrupsion mbetet një sfidë për Qeverinë, Parlamentin, gjyqësorin, agjencitë e zbatimit të ligjit, median e pavarur dhe shoqërinë civile në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. “Zbatimi i strategjisë antikorrupsion nga ana e Qeverisë, reformimi i gjyqësorit dhe dalja nga apatia e mosndëshkimit ligjor të rasteve korruptive  janë sfidë serioze për politikën dhe pushtetin gjyqësor në vend. Transparenca e financave të partive politike mbetet një problem veçanërisht serioz për funksionimin e demokracisë në Shqipëri.  Çështjet ku supozohet se ka korrupsion janë një sfidë për pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, tha Shabani. Në Evropën Juglindore, pjesëmarrja e pritshme në Bashkimin Evropian nuk ka ndikuar si një faktor kryesor për të nxitur përpjekjet antikorrupsion. Fakti që në 2008 një fond i konsiderueshëm i BE-së, i parashikuar për Bullgarinë, u pezullua për shkak të mungesës së progresit në reformat antikorrupsion dhe në drejtësi, tregon që Komisioni Evropian ka forcuar pozicionin e tij në kërkesat për reforma. Gjithashtu, nuk është koincidencë që toni i raport-progresit të BE-së për vendet kandidate, i publikuar në Tetor 2009, reflekton në një masë të gjerë renditjen e CPI-së. Sondazhi i kryer përqendrohet vetëm në perceptime dhe bazohet në 13 anketa dhe sondazhe të ndryshme nga 10 institucione të pavarura të përzgjedhura mes vëzhguesve me eksperiencë, si njerëz të biznesit, ekspert dhe analist vendas. Ndërsa për sa i përket metodologjisë në përgjithësi, CPI 2009 ka ndjekur të njëjtat metoda si dhe në vitet paraardhëse. Një ndryshim i vogël që është prezantuar, është fakti që CPI 2009 përdor rezultatet e viteve të kaluara, CPI 2008, si një listë udhëzuese. Përafrime janë bërë me CPI deri në 2006.

Sfidat e Shqipërisë

Zbatimi i strategjisë antikorrupsion nga ana e Qeverisë

Reformimi i gjyqësorit dhe dalja nga apatia e mosndëshkimit ligjor të rasteve korruptive janë sfidë serioze për politikën dhe pushtetin gjyqësor në vend.

Transparenca e financave të partive politike mbetet një problem veçanërisht serioz për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. 

Çështjet ku supozohet se ka korrupsion janë një sfidë për pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›