E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikonat, hetim për rrjet më të gjerë trafiku

 

BERAT - Policia e Beratit ka nisur hetimet në lidhje me dyshimet për trafik të mundshëm drejt Turqisë të ikonave dhe veprave të tjera të artit të cilat konsiderohen si trashëgimi kombëtare. Sipas burimeve, të arrestuarit janë marrë në pyetje, por dëshmitë e tyre nuk bëhen të ditura për efekt të hetimeve të mëtejshme. Kjo pasi dyshohet se rrjeti i trafikut të veprave të artit është më i gjerë. Aktualisht në prangat e policisë kanë rënë ish drejtori i muzeut në periudhën e '97-ës, Sami Starova, djali i tij, Mirel Starova si dhe Bujar Dine. Ky i fundit prej disa vitesh është me shtetësi turke. Ata u arrestuan pasi në mjetin e tyre u gjetën disa vepra arti. Në lidhje me arrestimet e kryera, drejtori i qendrës kombëtare të muzeut në Berat, Kastriot Dervishi, u shpreh se nuk kishte dijeni nëse sendet e bllokuara nga ana e policisë i përkasin këtij muzeu. Sipas tij, do të jenë ekspertët e kësaj fushe ata që do të përcaktojnë origjinën e këtyre veprave, lashtësinë e tyre si dhe faktin nëse ato kanë qenë pjesë e muzeut të Beratit. "Unë jam emëruar drejtor i qendrës kombëtare në vitin 2005. Nga inventarizimi që unë kam kryer në momentin e emërimit tim si drejtor dhe në vazhdim nuk është zhdukur asnjë vepër arti. Të gjitha veprat janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Arteve në Tiranë", u shpreh Dervishi. Sipas tij, është ende herët për të folur nëse veprat e sekuestruara janë pjesë e këtij muzeu, por do të jenë specialistët përkatës ata që do ta përcaktojnë këtë. "Unë nuk mund të flas nëse këto vepra kanë qenë pjesë e këtij muzeu. Nuk jam njohur me to në mënyrë që më pas të mund të bëj vlerësimin nëse kanë qenë pjesë e këtij muzeu. Por do të jenë ekspertët dhe specialistët e kësaj sferë të cilët do të japin vlerësimin përfundimtar" u shpreh më tej Dervishi.     d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›