E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bechtel-Enka sistemon me zhavorr shtegun mbi tunel

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Deri në hapjen e galerive të tunelit të Kalimashit, e vetmja rrugëzgjidhje do të jetë shtegu i hapur mbi to. Një rrugë e krijuar vetëm për mjetet e firmës së ndërtimit të autostradës Durrës-Morin, pritet të sistemohet për t'u bërë e përshtatshme për udhëtarët. Makineri të rënda të firmës "Becthel Enka", e cila ka marrë përsipër ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, po punojnë që nga dita e djeshme dhe për sistemimin e shtegut mbi tunel. Fillimisht, sipas burimeve të kësaj firme, po hidhet zhavorr dhe më pas edhe mund të asfaltohet. Ky aks është 12 km i gjatë, i cili kalon mbi tunelin e bllokuar të Kalimashit dhe që lidhet më pas në Thirrë me autostradën e përfunduar me katër kalime. Aktualisht ky shteg është në gjendje të rëndë dhe shpeshherë i rrezikshëm, madje shoferët kanë kaluar dhe orë të tëra në pritje të zhbllokimit të tij. Por ata janë të detyruar që të përballen  me të, për shkak të shmangies së rrugës së vjetër nga Qafë Mali, e cila zgjat disa orë rrugën deri në kryeqytet. Shoferët, por dhe specialistë të ndërtimit, thonë se projekte të tilla që parashikojnë tunele, kërkojnë medoemos dhe një shteg kalimi mbitokësor emergjence. Për çdo rast bllokimi aksidental apo të paralajmëruar të galerive automjetet mund të udhëtojnë nga shtegu dhe nuk mund të kthehen mbrapsht. Aktualisht, asnjë prej galerive të tunelit të Kalimashit nuk është e kalueshme. Në të parën, e përuruar dhe e hapur në verë, por e rimbyllur sërish në tetor, po avancohet dukshëm në punime. Ajo pritet që të përfundojë në muajin mars. Ndërsa për galerinë tjetër, e cila pësoi shembje dy javë më parë, ende nuk ka një preventiv të saktë për dëmet e shkaktuara apo për kohën që duhet për eliminimin e tyre. Një sasi e madhe dheu e inertesh u shemb pranë hyrjes jugore të galerisë, në të cilën nuk dihet se si do të procedohet me punimet apo me masat për evitimin e shkarjeve të tjera të rrezikshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›