“Arsimi i Lartë nuk i përgjigjet tregut të punës”
Arsimi i Lartë në vendin tonë mbart mangësi të mëdha. Ai nuk i përgjigjet sa duhet nevojave të tregut të punës. Kësaj here është Ministria e Arsimit, ajo që pranon se ka shumë për t'u bërë. Dje gjatë konferencës për prezantimin e strategjisë kombëtare për Arsimin e Lartë, specialistët e saj ngritën një sërë problematikash. "Sistemi i Arsimit të Lartë nuk i përgjigjet mjaftueshëm nevojave të vendit, zhvillimit të tij ekonomik që është më i shpejtë se zhvillimi i cili ndodh brenda arsimit të lartë. Institucionet e arsimit të lartë në menaxhimin e tyre kanë pasur edhe një mungesë të autonomisë së nevojshme për zhvillimin e tyre", u shpreh Elida Hoxha, Drejtoresha e Politikave të Arsimit të Lartë në MASH. Përfaqësues të tjerë të këtij dikasteri pohuan se sistemi është shumë homogjen dhe financimet nuk arrijnë të jenë të mjaftueshme. Kjo si në infrastrukturë, ashtu edhe në kualifikimin e stafit. Duke mos prekur në asnjë moment konfliktin e fundit me studentët, drejtuesit e MASH pranuan hapur problemet e tjera. Ndërkaq zv.ministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, nuk la pa përmendur edhe hapat pozitive në këtë drejtim. "Ka ende shumë për t'u bërë, por jemi në rrugë të mirë. Financimi për Arsimin e Lartë në buxhetin e 2009-ës është 50% më i madh, ndërsa për kërkimin shkencor është parashikuar 30% më shumë", tha Gjonaj. Sipas saj, po këtë vit janë miratuar 80 programe studimi të nivelit të dytë dhe 60 mastera specializimi. Me strategjinë afatmesme, të bërë publike dje, Ministria e Arsimit synon reformimin e plotë të Arsimit të Lartë në vend. Këtu përfshihen ndërhyrje në infrastrukturë, në stafin akademik apo metodikat e mësimdhënies". Strategjia kombëtare synon transformimin e Arsimit të Lartë në vend, me qëllim afrimin e integrimin të plotë të saj në sistemin evropian dhe global", tha zv.ministrja. Me anë të këtij dokumenti, synohet të arrihet edhe një mbështetje më e madhe financiare, si nga qeveria, ashtu edhe nga burime të tjera. Aktualisht në pjesën më të madhe të universiteteve në vend, problemet janë të mëdha. Ka vite që në infrastrukturë nuk ndërhyhet. Pjesa më e madhe e projekteve në këtë drejtim kanë mbetur në letër. Auditorët janë të tejmbushur. Sa i përket numrit të pedagogëve, me gjithë stafin e ri që është shtuar, sërish mbetet i pamjaftueshëm. Raporti pedagog-student është shumë larg standardeve që përcakton karta e Bolonjës. Po ashtu edhe cilësia e mësimdhënies, nga sa pranojnë vetë ata që ndjekin shkollat e larta, lë për të dëshiruar. Në shumë raste studentëve u duhet të presin për orë të tëra pedagogët, një pjesë e të cilëve të dypunësuar. Sipas Ministrisë së Arsimit, strategjia e re për këtë sistem pritet të ndryshojë gradualisht këtë situatë, duke mundësuar përafrimin me vendet e tjera të bashkimit evropian. "Me anë të saj vendosen piketat për tjetërsimin e Arsimit të Lartë në vend, që është edhe më i rëndësishmi në zhvillimin e vendit", pohuan drejtuesit e MASH.