Maturantët nga jashtë, si do aplikojnë për universitetin
zirina llambro
Provime me zgjedhje për t'u pranuar në universitetet tona. Ky do të jetë kushti për të gjithë maturantët, që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe nuk kanë dhënë provime ekuivalente me ato të Maturës Shtetërore. Afati i fundit i aplikimit është data 15 prill e këtij viti. Ministria e Arsimit ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë këta nxënës, për të nisur Arsimin e Lartë në Shqipëri. Sipas rregullores së hartuar për provimet e këtij viti, do të jetë një Komision i Posaçëm që do të shqyrtojë kërkesat e tyre. "Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore, përcakton mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nëse provimet e dhëna që figurojnë në këtë dëftesë janë ekuivalente me Maturën Shtetërore", thuhet në rregullore. Sipas saj, për nxënësit për të cilët vlerësohet se dokumentet shkollore nuk dëshmojnë për dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën Shtetërore, komisioni përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Këto nota, Komisioni ia përcjell zyrtarisht Komisioneve të Maturës Shtetërore në drejtoritë dhe zyrat arsimore, ku nxënësi ka vendbanimin, deri në datën 30 prill 2009. "KMSH e DAR/ZA-ve cakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet me zgjedhje dhe ku do të plotësojë formularët A1 dhe A2, duke i përcjellë kësaj shkolle dhe notat që ka përcaktuar Komisioni i Posaçëm", thuhet në rregullore. Sipas saj, formularët A1, të plotësuar nga nxënësit në fjalë, dorëzohen zyrtarisht si edhe në formë elektronike në AVA, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të nxënësve, brenda datës 5 maj. Për të aplikuar, kandidatët duhet të kenë me vete: kërkesën me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike në Shqipëri, dëftesën origjinale me notat e mbarimit të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara, si dhe pasaportën ose certifikatën e lindjes. Kjo e fundit duhet të jetë me fotografi. Pas plotësimit të formularit A1, maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit do të plotësojnë edhe formularin A2. Me anë të tij, njësoj si kandidatët e tjerë të këtij viti, ata do të rendisin degët e preferuara ku duan të vazhdojnë universitetin. Në këtë fazë, përzgjedhja e fituesve do të jetë njësoj si vitet e tjera. Parimi i meritë preferencës është ai që do të vendosë për kandidatët më të mirë që do të studiojnë në fakultetet e vendit. Nga dhjetë degë që do të listojnë maturantët, do të shpallen fitues vetëm në njërën prej tyre. Pikët në bazë të notave që kanë marrë nga provimet e detyruara, ato me zgjedhje dhe mesatarja e katër viteve, do të jenë decizive.
Maturantët e mëparshëm
Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007;2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, për t'u regjistruar në këto shkolla këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në këto raste ata i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme, ku kanë dhënë provimet e detyruara. Gjithashtu provimet me zgjedhje do t'i japin të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta. Ndërsa nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë vetëm provimet e detyruara, për t'u regjistruar në universitet duhet të japin provimet me zgjedhje, pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara.