E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI firmos marrëveshjen e parë me Partinë e Gjelbër për koalicion

 

LSI nënshkroi dje marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në një koalicion me Partinë e Gjelbër Shqiptare, që është anëtare e Partisë së Gjelbër Evropiane. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe kryetari i Partisë së Gjelbër shqiptare, Edlir Petanaj, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërsa në këtë ceremoni merrnin pjesë ambientalistë të shquar shqiptarë si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Gjatë fjalës së tij Meta tha se, “marrëveshja që ne nënshkruajmë sot me Partinë e Gjelbër Shqiptare është shumë e rëndësishme për vetë dimensionin programor dhe angazhues të LSI-së dhe të gjithë koalicionet që ne po ndërtojmë dhe konfigurojmë, në mënyrë që t’u premtojmë gjeneratave të sotme, por edhe të ardhshme, një angazhim solemn, se ne do të punojmë për një mjedis të gjelbër”, tha Meta. Ambientalisti i njohur Sazan Guri, i cili do të jetë i pari në listën e kandidatëve të të Gjelbërve në Tiranë në 28 qershor tha se, “u bashkuam në koalicion për integrimin drejt Evropës, sepse për herë të parë programi mjedisor nuk është në faqet e fundit, por është bosht i këtij koalicioni për integrimin drejt Evropës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›