"Subvencionin për tekstet shkollore e marrin 90% e prindërve në
"Subvencioni i teksteve shkollore sot është në duart e shumicës së prindërve (afro 90%). Madje në rrethet Gjirokastër, Shkodër, Skrapar, Mat, Peqin, Lushnjë, Mallakastër, Përmet, Kolonjë, Has, Mirditë, Malësi e Madhe, Devoll, Pogradec, Tropojë, Kukës, Elbasan, janë shpërndarë 100% e fondeve". Këtë deklaroi dje Ministria e Arsimit. Reagimi erdhi pas një sërë akuzash nga Partia Socialiste. Sipas këtij dikasteri, ky fond është sot dy herë më i madh se ai i vitit 2005 dhe se gjatë qeverisjeve socialiste, ky fond nëpërmjet tregut të zi përfundonte në xhepat e zyrtarëve dhe jo të qytetarëve. "Përsërisim se programet zyrtare janë miratuar dhe vlerësimi i teksteve do të kryhet sipas Altertekstit, një risi për Shqipërinë, i cilësuar i suksesshëm edhe sipas disa ish-ministrave socialistë", thuhet në deklaratën e ministrisë. Ky dikaster ka dhënë sqarim edhe për peshën e mesatares në provimet e Maturës Shtetërore. "Ajo do të zërë 20% të rezultatit të përgjithshëm të maturantëve, ashtu si edhe këta 3 vitet e fundit. Zëdhënësja e PS nuk do të fusë dot panikun e kërkuar, po ashtu si dështoi opozita në instrumentalizimin e studentëve për qëllime politike", deklaron MASH. Ndërkaq sa i përket akuzave për formatin e ri të diplomave, ministria ka mbajtur të njëjtin qëndrim si edhe disa ditë më parë. "Ne përsërisim që çdo student mund të ndërpresë studimet pas diplomimit në nivelit të parë dhe të hyjë në tregun e punës, ose të vazhdojë studimet e thelluara, sipas Bolonjës. Kështu veprohet edhe në BE, edhe në Amerikë. Koha e planifikimit komunist ka vdekur. Është mirë që PS-ja ta kuptojë këtë", theksohet në deklaratë.