E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha në Islandë, ratifikohet Protokolli i NATO

 

Islanda ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke u bërë kështu vendi i 23-të i Aleancës që shprehet pro hyrjes së vendit tonë. Votimi në Parlamentin islandez u bë në të njëjtën ditë kur në Reikjavik ndodhet për një vizitë zyrtare ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Kreu i diplomacisë shqiptare u prit nga homologu i tij Ossur Skarphedinsson, me të cilin bisedoi rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësive të bashkëpunimit të dy vendeve në fusha me interes të përbashkët. Energjia, turizmi, teknologjia, ishin disa nga fushat kryesore të identifikuara, ku bashkëpunimi mund të sjellë rezultate konkrete në të ardhmen e afërt. “Ministri Basha e informoi homologun e tij rreth reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në funksion të arritjes së standardeve të kërkuara në proceset e integrimit euroatlantik të vendit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Pas fjalës së Ministrit Skarphedinsson, Basha pati takime zyrtare me Kryetarin e Parlamentit islandez, Gudbjartur Hannesson dhe Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme, Arni Thor Sigurdsson, si dhe me liderin e opozitës islandeze, ish-kryeministrin Geir Haarde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›