E Diel, 1 Nëntor 2026

Diskutimet që eliminuan Tuk Jakovën e Bedri Spahiun

 

Panajot Plaku

Seria e likuidimeve, e cila filloi në prag të Kongresit të parë të PK të Shqipërisë, vazhdoi edhe pas tij. Viktima ishin jo vetëm themeluesit dhe udhëheqësit më të lartë të partisë, por edhe mbarë populli i Shqipërisë.Ndërprerja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, të cilën e shkaktuan Enver Hoxha dhe grupi rreth tij, e solli Shqipërinë në një situatë ekonomike jashtëzakonisht të vështirë. Megjithëse m’u përpara ndërprerjes së marrëdhënieve, Jugosllavia i dha Shqipërisë një sasi të konsiderueshme drithi, prodhimi i dobët në Shqipëri, i çrregulloi të gjitha planet e udhëheqjes. Furnizimi me ushqim ishte aq i dobët dhe i parregullt, sa që populli shqiptar ishte i detyruar jo vetëm të hajë bukë misri, por në shumë vise bregore (Kurvelesh, Skrapar, Dangëlli, Martanesh, Mirditë, Shalë, Shosh etj.) popullsia pësonte nga uria. Kishte mjaft raste vdekjeje për shkak të rraskapitjes dhe të ushqimit të pamjaftueshëm. Udhëheqja e re e PPSH-së ndërmori masa drastike kundër të gjithë prodhuesve bujqësorë. Një nga këto masa ishte dyfishimi, e madje edhe trefishimi i grumbullimit të të gjitha prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Duke iu shtruar një presioni të pashembullt, bujqit e viseve më pjellore ishin të detyruar t’i braktisnin shtëpitë e veta, të shkojnë në qytet dhe të punojnë atje si punëtorë të pakualifikuar në çfarëdo ndërmarrje shtetërore, me qëllim që të mund të merrnin racion të misrit dhe të gjërave të tjera ushqimore për t’i kryer me këto gjëra obligimet e veta ndaj grumbullimit. Para se të likuidoheshin ata  që e përkrahnin dhe e ruanin miqësinë me Jugosllavinë, nuk kishte forma kaq të rënda të grumbullimeve, e as pasoja të tilla. Mirëpo ata u eliminuan në mënyrë brutale nga jeta politike e Shqipërisë. Filluan ditë të zeza për Shqipërinë.
Do të përmendim biografi të shkurtra të katër revolucionarëve, të cilët pësuan pikërisht në atë periudhë.
Pandi Kristo. U lind në Korçë në një familje të varfër. Si i ri u bashkua me grupin komunist të Korçës dhe ishte një nga anëtarët më aktivë të tij. Me profesion ishte rrobaqepës. U angazhua me të gjitha forcat për formimin e PK të Shqipërisë. Ishte pjesëmarrës i Konferencës së parë themeluese, në të cilën u formua PK e Shqipërisë. Prej vitit 1941 ishte sekretar i organizatës së partisë në Korçë. Në Konferencën nacionale, në mars 1943, u zgjodh anëtar i Byrosë Politike të KQ të PKSH-së, por mbeti edhe më tutje në detyrë të sekretarit të organizatës së Korçës. Gjatë luftës ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ-it të Shqipërisë. Si udhëheqës i organizatës më të fortë të rrethit të partisë në Shqipëri. Luajti rol të madh në Lëvizjen Nacionalçlirimtare në vend. Pas çlirimit ishte në detyra me përgjegjësi. Ishte kryetar i Komisionit të Planit, kurse kreu edhe funksione të tjera partiake me përgjegjësi. Pandi Kristo ishte një nga udhëheqësit më të dashur të Partisë. Pas Kongresit të parë të PKSH, në të cilin u përjashtua nga partia, u akuzua në mënyrë të rrejshme dhe u nxor në gjyq. U dënua me burg shumëvjeçar.
Nesti Kerenxi. Si nxënës i Liceut të Korçës ishte një nga udhëheqësit e rinisë komuniste të grupit të Korçës. Pas formimit të partisë ishte anëtar i Komitetit të Rrethit të Korçës dhe sekretar i Rinisë komuniste të këtij rrethi. Në Konferencën e parë nacionale u zgjodh anëtar i KQ të PKSH. Pas çlirimit ishte zëvendësi i parë i ministrit të Punëve të Brendshme, me gradë kolonel. Në Plenumin e tetë të KQ të PKSH, si kandidat u kooptua anëtar i Byrosë Politike. E përfaqësoi Shqipërinë në disa konferenca ndërkombëtare të rëndësishme. Pas Kongresit të parë të PKSH u nxor në gjyq. U lirua, por u shkarkua prej të gjitha funksioneve të mëparshme dhe u likuidua politikisht.
Vasko Koleci. Ishte anëtar i rinisë komuniste të Grupit Komunist të Korçës dhe një nga udhëheqësit e rinisë komuniste të rrethit të Korçës pas formimit të PKSH. U pranua në parti në fillim të vitit 1942. E trashëgoi Nesti Kerenxin në pozitë të sekretarit të rinisë komuniste në rrethin e Korçës. Pas çlirimit të Shqipërisë kishte gradë nënkolonel dhe kryente detyra me përgjegjësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në Plenumin e tetë të KQ të PKSH u përjashtua nga Partia dhe u arrestua. Në procesin gjyqësor kundër Koçi Xoxes, i akuzuar se ka qenë bashkëpunëtor i tij i ngushtë, u dënua me burg shumëvjeçar.
Nuri Huta. Si nxënës i shkollës së mesme ishte një nga partizanët e parë në trevën e vet. Gjatë luftës ishte, së pari, në detyrë të komandantit të çetës, e pastaj të komandantit të batalionit. Pas çlirimit, si nënkolonel, kreu detyra të ndryshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme. U pranua në Parti më 1943. Pas Kongresit të parë të PKSH u përjashtua nga partia dhe u arrestua. Në procesin gjyqësor kundër Koçi Xoxes u nxor edhe ai në gjyq në bazë të akuzës së trilluar. U dënua me burg shumëvjeçar.
Përafërsisht në të njëjtën kohë kur u likuiduan këta revolucionarë, filloi fushata për kolektivizimin më të shpejtë të fshatit. Këtë e përcillte aksioni kundër kulakëve dhe të ashtuquajturve armiq të kolektivizimit si aksion plotësues, e shpesh edhe kryesor. 
Likuidimi i Tuk Jakovës dhe i Bedri Spahiut
Dëshiroj të ndalem këtu posaçërisht në likuidimin e dy udhëheqësve: të Tuk Jakovës dhe të Bedri Spahiut. Pas Plenumit XI, Tuk Jakova, siç dihet, e zëvendësoi Koçi Xoxen në detyrën e sekretarit organizativ të KQ të PPSH. Në Kongresin e parë ai u zgjodh edhe zyrtarisht sekretar organizativ, e një kohë të shkurtër pas Kongresit, e zëvendësoi në këtë detyrë Mehmet Shehu. Sipas asaj që u tha në Plenum të KQ, Tuku u dënua për shkak të “oportunizmit të djathtë”. Ai u shkarkua nga pozita e sekretarit organizativ gjoja për shkak se e ka mbrojtur klerin katolik reaksionar. Shkas për këtë akuzë ishte fakti se Tuk Jakova kishte pritur një klerik katolik, i cili kishte ardhur për t’u ankuar për diçka, pse kishte pranuar të bisedonte me të dhe pse nuk kishte qenë brutal gjatë bisedës. Tuk Jakova kurrë nuk i ka pranuar akuzat e këtilla, e ato as nuk ishin shkak i njëmendët për dënimin e tij. Shkaku i vërtetë ishte fakti që Tuk Jakova u bënte rezistencë të gjitha masave ekstreme terroriste, që aplikoheshin në Shqipëri. Qëndrimi i tij i këtillë u karakterizua si “oportunizëm i djathtë”. Më vonë, Tuk Jakova u përjashtua, me të njëjtin motivacion, edhe nga Byroja Politike. Pastaj u mbajt plenumi i famshëm i zgjeruari Komitetit Qendror në prill 1955. Në Plenum duhej të diskutohej për çështjet ideologjike dhe teorike. Përveç të gjithë anëtarëve dhe kandidatëve për anëtarë të KQ, në këtë plenum orën pjesë edhe sekretarët e parë dhe sekretarët e agjitpropit të së gjitha komiteteve të rretheve, si dhe një numër i konsiderueshëm nëpunësish të aparatit të KQ, udhëheqësit në shtyp e të tjerë. Referatin në plenum e paraqiti anëtarja e Byrosë Politike dhe sekretare për çështjet e agjitacionit dhe të propagandës në KQ, Liri Belishova. Pas referatit, i cili zgjati afër 4 orë, meqenëse kurrkush nuk deshi të diskutojë menjëherë, puna e plenumit u ndërpre, për të vazhduar po atë ditë në orët e pasdites. U nisëm të shkojmë në shtëpi. Meqenëse ende ishte herët për të ngrënë drekë, e thirra Tukun, i cili doli bashkë me mua nga salla e mbledhjes, që të shkojmë te “Shtëpia e partisë” dhe të luajmë atje një parti bilardo. Tuku nuk e pranoi propozimin tim. Meqenëse unë këmbëngula, ai më shpjegoi se kishte ndërmend të merrte pjesë në diskutim dhe se ekzistojnë disa gjëra, për të cilat ende dëshiron të mendojë mirë dhe, për këtë arsye, nuk mund të vinte me mua. Meqenëse Tuku asnjëherë nuk kishte punuar në sektorin e agjitacionit dhe të propagandës, më habiti dëshira e tij që të marrë pjesë në diskutim dhe e pyeta: çka të shesë mend për ato gjëra, për të cilat kishte folur Liri Belishova. Por, nuk munda ta bind dhe kështu u ndamë para “Shtëpisë së partisë”. Në mbledhjen e plenumit gjatë pasdites, Tuk Jakova i pari kërkoi fjalën dhe doli në foltore. Ai ndër të tjerash, tha: “Meqenëse në referat, të cilin e dëgjuam këtu, nuk kishte asgjë të re as të panjohur dhe meqenëse vetë referati nuk jep nxitje për diskutim, unë mendoj dhe propozoj që plenumi të diskutojë rreth disa çështjeve ideopolitike me karakter historik. Do t’i parashtroj këto çështje, e do shpreh mendimin tim rreth tyre. E para, problemi i formimit të PKSH. Pas vitit 1948, ne po e trajtojmë këtë çështje në atë mënyrë, sikur vetëm një njeri ta ketë krijuar OKSH. Kemi heshtur për meritat e mëdha të së gjithë komunistëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë aktive në formimin e saj. Mendoj se këto janë fakte historike. E ne nuk mund t’i shtrembërojmë faktet. Pajtohem plotësisht që të lihen në heshtje meritat e individëve, kur është fjala për tradhtarët. Por, nuk pajtohem të mos përmendet çdo komunist i ndershëm, i cili ka pasur merita për formimin e Partisë.
E dyta, sipas mendimit tim, nuk është me vend të përdoren fotografitë e të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike në muzeun shtëpiak të ndërtesës, në të cilën është formuar Partia”.
Duke folur më tutje, Tuk Jakova tha se nuk ka propozime për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe se pikërisht për këtë arsye konsideron se për problemet e rëndësishme ideologjike, duhet të diskutohet në këtë plenum dhe të merren në të vendime përkatëse. Pas Tuk Jakovës kërkoi fjalë Sadik Bocaj, anëtar i KQ të PPSH-së dhe e sulmoi si revizionist dhe si njeri, i cili ka ambicie të tepruara. Pas diskutimit të Sadik Bocajt, mbledhja u ndërpre me propozim të Enver Hoxhës, me qëllim që, sipas fjalëve të tij, rreth këtyre çështjeve interne të Komitetit Qendror të mos diskutohet në prezencën e të gjithëve që marrin pjesë në punën e plenumit, e nuk janë anëtar të KQ. Gjatë pauzës, nëpër grupe u zhvilluan biseda në lidhje me diskutimin e Tuk Jakovës. Kur vazhdoi mbledhja, kërkoi fjalë Manush Myftiu (atëherë kandidat për anëtar të Byrosë Politike, e tash anëtar i saj). Ai deklaroi se gjatë pauzës anëtari i KQ, Bedri Spahiu, e paska informuar se me Tuk Jakovën paska folur në disa raste rreth këtyre dhe çështjeve të ngjashme. Sipas fjalëve të Manush Myftiut, Tuk Jakova i paska thënë Bedri Spahiut, me rastin e një vizite të tyre të përbashkët në Muzeun e revolucionit, duke ia treguar fotografinë e Spiro Kolekës (atëherë anëtar i Byrosë Politike): “Ç’kërkon këtu kjo fotografi? Ç’lidhje ka ai me revolucionin? Korrieri im nga Brigada e parë ka më shumë merita për revolucionin se sa Spiro Koleka, i cili nuk ka zbrazur as edhe një plumb të vetëm kundër fashistëve”.
Pas Manush Myftiut, fjala iu dha Hito Çakos (atëherë kandidat për anëtar, e tash anëtar i KQ), i cili gjithashtu e sulmoi ashpër Tuk Jakovën. Deklaroi se në një rast, në Hungari, ku gjendeshin në njëfarë kremtimi dhe ku kishin filluar rastësisht të bisedojnë për formimin e PKSH-së, ai paska thënë se të vijë koha, kur populli i Shqipërisë Miladin Popoviqit do t’i ngrejë përmendore të madhe e të bukur. Hito Çako shtoi se Tuk Jakova i paska thënë se tash, për shkak të situatës politike, nuk mund të pranohen meritat jashtëzakonisht të mëdha të Miladin Popoviqit për formimin e PKSH-së dhe për zhvillimin e suksesshëm dhe ngadhënjimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Pas diskutimeve dhe të disa pjesëmarrësve, u propozua që këtë problem ta shqyrtojë Byroja Politike dhe, më së largu, brenda tre muajve, t’i informojë pjesëmarrësit e Plenumit për vendimet e aprovuara. Në fund, e kërkoi fjalën Enver Hoxha, i cili e sulmoi ashpër Bedri Spahiun. Sipas fjalëve të tij, Bedri Spahiut, jo vetëm që i ka munguar vigjilenca, por, se, në të vërtetë, ai është bashkëmendimtar me Tuk Jakovën. Për këtë arsye, Enver Hoxha propozoi që Byroja Politike ta shqyrtojë me të njëjtin kujdes si në rastin e parë, ashtu edhe të dytin. Plenumi u pajtua me këtë propozim të Enverit dhe me këtë përfundoi puna e tij...

Tuk Jakova: Stalini po na keqpërdor dhe pas vdekjes

Kur arriti lajmi për vdekjen e Stalinit, në sheshin kryesor të Tiranës, para përmendores gjigante të Stalinit, u mbajt një ceremoni përkujtimore. Sheshi ishte i mbushur me popull dhe vetëm një hapësirë para përmendores ishte e zbrazët. Tërë udhëheqja partiake dhe shtetërore kishte arritur në shesh dhe ishte tubuar në këtë hapësirë të zbrazët. Një kohë qëndruan në heshtje, e pastaj, papritmas, duke e ndjekur shembullin e Enver Hoxhës, të gjithë u gjunjëzuan para Stalinit rigoroz të bronzit. Duke ndenjur kështu në gjunjë, Enver Hoxha mbajti fjalim përkujtimor, në të cilin tha përveç të tjerash se vdekja e Stalinit është humbje e pakompensueshme për lëvizjen komuniste të botës dhe për mbarë njerëzimin. Me patetikë deklaroi se vdekja e Stalinit ka për t’u ruajtur dhe se Partia e Punës e Shqipërisë dhe populli shqiptar do të luftojnë me të gjitha fuqitë për vazhdimin e saj. Aty isha edhe unë. Qëndroja në gjunjë pranë Tuk Jakovës. E kisha vështirë t’i lutem Stalinit të vdekur dhe t’i betohem si perëndisë. Mirëpo, mendoja se vetëm unë e ndjeja veten kaq keq. Më befasoi në mënyrë të këndshme Tuk Jakova, i cili para se të fillonte të fliste Enver Hoxha, e ktheu kokën kah unë dhe më pëshpëriti në vesh: “Nuk ka mjaftuar që na ka keqpërdorur dhe na ka deformuar sa ishte gjallë, por edhe tash, pas vdekjes, vazhdon të na keqpërdorë”. Nuk iu përgjigja me zë të lartë, por, duke luajtur kokën i dhashë shenjë se pajtohem plotësisht me të. Sikurse edhe shumë vende socialiste, njerëzit edhe në Shqipëri shpresonin se pas vdekjes së Stalinit do të bëhen lehtësira dhe ndryshime pozitive. Mirëpo, ndërsa ishin bërë ndryshime të tilla në vendet e tjera, në Shqipëri vazhdoi të zhvillohet në mënyrë të intensifikuar, megjithëse Stalini ishte i vdekur. Prej 31 anëtarëve dhe kandidatëve të KQ të PPSH, që ishin zgjedhur në Kongresin e Parë të partisë, në prag dhe pas vdekjes së Stalinit, u likuiduan fizikisht ose politikisht 14 sish.

Panajot Plaku, kujtimet e ish-ministrit
Të tjera fakte dalin në librin “Vite që rrëzohen – Dhuna ndaj revolucionit shqiptar”, i cili sapo është hedhur në treg nga Shtëpia Botuese “55”. Panajot Plaku ka qenë dëshmitar i ngjarjeve të kohës. Ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes Popullore dhe drejtor i Drejtorisë Politike më 1956. Gjatë viteve 1954 – 1957 deputet. Më 29 tetor 1956 – 17 maj 1957 ministër pa portofol dhe kryetar i Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë. Arratiset në Jugosllavi, ku vdes në vitin 1966 vdes në rrethana ende të paqarta në një hotel të Beogradit. Pas Kongresit të parë të Partisë Komuniste vijuan të tjera likuidime në radhët e partisë, për të justifikuar prishjen me Jugosllavinë. Panajot Plaku na sjell portretet e disa prej tyre. Nuk do të vonojë vdekja e Stalinit, që do të pasojë nga një tjetër Plenum famëkeq. Bëhet fjalë për Plenumin XI, gjatë të cilit u shënjuan të tjera viktima. Bëhej fjalë për Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun, të cilët u quajtën “oportunistë të djathtë”. Plaku tregon se cilat ishin fjalët e fshehta të Jakovës gjatë përkujtimores së Stalinit dhe cili ishte fjalimi që do të vuloste dënimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›