Rama: Do pastrojmë vendin nga plehrat
Në ndalesën e radhës së turit në Laç me vullnetarët e PS-së, kryetari i Partisë Socialiste dha një tjetër vizion për të ardhmen e Shqipërisë nën qeverisjen e socialistëve. Duke e cilësuar mjedisin si një çështje shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, Rama tha se pas katër viteve të ardhshme nuk do të ketë më plehra në rrugët e Shqipërisë. “Ne do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat e kudondodhura nëpër rrugët kombëtare dhe nga mbeturinat urbane që janë bërë kartëvizita turpëruese e atdheut tonë në sytë e të huajve dhe shembulli më i keq që ju japim fëmijëve tanë. Brenda 4 vjetësh asnjë qese plastike nuk do të hidhet më në Shqipëri, në plazhe, lumenjtë, rrugët, në parqet, oborret publike, të cilat do të jenë çliruar përfundimisht nga makthi i qeseve që prej 18 vjetësh janë kthyer në lulen – simbol të pushtetit të politikës së vjetër”, tha Rama me të rinjtë.