Berisha me prefektët: Kujdes zgjedhjet
Kryeministri Berisha ka mbledhur dje në një takim prefektët në të gjithë vendin, të cilëve u ka bërë thirrje për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Sipas kreut të qeverisë cilësia e zgjedhjeve është më e rëndësishme se rezultati i tyre. “Jua them këtu, sepse për këtë qeveri dhe këtë administratë rëndësi absolute ka ndershmëria dhe liria e zgjedhjeve, rëndësi më pas ka rezultati i tyre ta dinë këtë, kjo është. Pra, edhe një vend i lirë është një vend i lirë, do mbetet i lirë dhe të konsolidojë lirinë e tij vetëm me procese zgjedhore të lira dhe të ndershme”, deklaroi kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë Berisha u bëri thirrje pushtetarëve vendorë, që megjithëse 2009 është një vit elektoral të marrin masat për realizimin 100% të investimeve të parashikuara në infrastrukturë. Sipas tij, kjo është një politikë e mirë antikrizë.