Epidemitë, Vasili: Njehsim i politikave në rajon
Kalendari i vaksinave në Shqipëri duhet të njehsohet me atë të vendeve të rajonit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen epidemitë. Kështu është shprehur ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në konferencën rajonale të vaksinimit, që është zhvilluar dje në Tiranë. Në prani të specialistëve nga Greqia, Mali i Zi, Kosova, Italia, ministri Vasili u shpreh se vetëm duke ndjekur politika të njëjta shëndetësore për mbulimin e popullatës me vaksina, mund të parandalohen epidemitë, apo situata të tjera shëndetësore edhe më të vështira, pasi, sipas tij, duhet të mendohet në veçanti për grupet e riskut. “Vetëm sinkronizimi, edhe ai rajonal, besoj se është një kusht themelor për të pasur një sukses në këtë fushë tepër të rëndësishme të shëndetit publik. Kemi më të qartë se cilat do të ishin zonat dhe grupet më vulnerabël, të cilat kërkojnë një vëmendje akoma më të veçantë, si popullsitë që emigrojnë, popullatat rome etj.” - tha ministri Vasili. Më tej, ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se Shqipëria ofron mbulesë vaksinale për 96% të popullatës, dhe kjo sipas tij është një garanci për shëndetin publik. Aktualisht, në vendin tonë rezultojnë 16 vaksina të regjistruara nga 7 kompani farmaceutike. Krahas kësaj ekziston prej vitesh edhe kalendari kombëtar i vaksinave, të cilit nga viti në vit i shtohen emra të rinj vaksinash. Pak vite më parë filloi të aplikohej vaksina pentavalente për fëmijët, ndërsa në mars të këtij viti ka filluar të injektohet te foshnjat vaksina e pneumokokut. Përveç kësaj vaksine, specialistët e Shëndetit Publik shprehen se shfaqja e disa sëmundjeve të reja në vend ka lindur nevojën edhe për futjen e dozave parandaluese të tyre, siç është edhe vaksina HPV, e cila parandalon kancerin në qafën e mitrës. Një tjetër vaksinë që është parashikuar të përfshihet në kalendarin e vaksinimit në vitin 2012 është edhe ajo kundër verdhëzës, apo ndryshe hepatitit A, e cila hera-herës në Shqipëri merr përmasa epidemike. Në fakt, përfshirja e disa vaksinave në kalendarin kombëtar të vaksinimit është një çështje e trajtuar edhe në strategjinë kombëtare të imunizimit 2009–2013.