Arsimi i lartë, rrugë pa krye
Olti Rrumbullaku
Ministria e Arsimit shpalli që vitin e ardhshëm akademik do të rezervojë 26 mijë kuota në arsimin publik në 12 universitetet publike në Shqipëri. Po ashtu këto ditë po zhvillohen dhe provimet e maturës shtetërore që angazhojnë rreth 43 mijë maturantë dhe le të supozojmë se pjesa dërrmuese e tyre do të marrin provimet (rreth 38 mijë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar). Këto shifra tregojnë se universitetet publike vetëm si sistemin me kohë të plotë do të përpiqen të pranojnë rreth 68% të nxënësve të rinj që po përpiqen të diplomohen në maturën shtetërore. Një shifër shumë e ekzagjeruar. Kësaj duhet ti shtojmë dhe mijërat e studentëve që i drejtohen arsimit publik me kohë të pjesshme dhe po ashtu arsimin e lartë në sektorin privat. Cili do të jetë rezultati? Me gjasë mbi 25 mijë studentë pas 3-4 vitesh do të ti drejtohen shtetit për punë apo sektorit privat. Një përqindje totale me mbi 70 përqind të maturantëve që do zotërojnë një diplomë dhe do i drejtohen një tregu pune shumë të kufizuar dhe me një papunësi galopante.
Duke lënë mënjanë disa degë në UT dhe UPT që mund të pranojnë rreth 20-30% të kërkesave për studime, programet e tjera të studimit sidomos në rrethe plotësohen me vështirësi dhe nga nxënës/studentë të pamotivuar. Universitetet në shumicën e rasteve ofrojnë të njëjtat programe të hartuara në fillim të viteve 90 dhe në përgjithësi përdorin tekste që shkruhen vetëm njëherë dhe mbeten për një kohë shumë të gjatë në përdorim dhe jashtë realitetit. Ndarja e programeve sipas sistemit të Bolonjës ishte më shumë një ndarje pronash akademike në përfitim të atyre që marrin vendimet kryesore nëpër fakultete, sesa një përshtatje e kurrikulave në shërbim të shoqërisë shqiptare.
Nga ana tjetër sistemi privat është në një kaos shumë dimensional. Janë dhënë me dhjetra liçenca që mezi u njihet emri dhe funksionojnë me parimin e furgonëve interurbanë gjej dhjetë studentë dhe nisu drejt diplomës. Ministria duket se është më e interesuar të ketë dhjetra minitendera të vegjël për çdo proçes liçensimi dhe akredimi, sesa të realizojë një sistem monitorimi të përshtatshëm dhe që të jetë konseguent me rregulloret. Nëse për një pjesë të arsimit publik, kuotat sigurojnë cilësinë, tek arsimi privat nuk ka kuota. Kushdo mund të studiojë kudo në varësi të çmimit. Universitetet private mund të jenë me fleksibël në programe, mund të përdorin pedagogë që janë më konkurrues në tregun e mësimdhënies, por që nuk mund të sjellin rezultat optimal pa vendosur kuota për pranimin e studentëve dhe konkurrencë e bazuar në produktin e tyre.
Përgatitja e një qytetari nuk vjen vetëm nga ulja në një nga bangat e universiteteve, apo marrja e diplomës pa shkuar fare, por vjen edhe nga marrja e eksperiencave profesionale që shërbejnë në të gjithë botën. Prodhimi dhe industria janë pjesë e rëndësishme dhe e pashmangshme e ekonomisë së një shteti, dhe për të realizuar prodhim me cilësi të pranueshme për tregjet botërore, në shtete të zhvilluara (Gjermani, Finlandë, Suedi) dhe në ato në zhvillim të vrullshëm (Kinë, Turqi), funksioni kryesor i shkollave profesionale është që të përgatisin forcën e punës për industritë lokale. Nëse në Bashkimin Europian rreth 60-65% e gjimnazistëve ndjekin arsimin profesional, në Shqipëri kemi një shifër të papërfillshme, sepse të gjithë i tundon zotërimi i një diplome që shpesh nuk shoqërohet me një profesion.
Në shembull për epilog
Në fund të viteve 90, studentët shqiptarë në Itali zgjidhnin në masë të ndiqnin studimet për shkenca politike, ndërsa studentët kinezë në Itali zgjidhnin në rreth 80% studime në shkenca inxhinierike. Ky ishte një gabim i konsiderueshëm nga ana jonë si shoqëri dhe gabim i një shteti që nuk ka as strategji dhe as vizion për qytetarët e tij. Shumë prej atyre mijëra studentë zgjodhën të studionin dhe në degë të tjera, apo u përshtatën në profesione të ngjashme. Kjo gjë po ndodh përsëri në shumë programe studimi dhe degë në Tiranë dhe sidomos në rrethe. Po marr vetëm një shembull: gjuha italiane në sistemin publik do ndiqet si program studimi vetëm nga 350 studentë me pjesën dërrmuese nëpër rrethe, ashtu si shumë gjuhë të tjera. Nga ana tjetër me mijëra të rinj punojnë në fushën e telemarketingut në gjuhën Italiane në qytetet kryesore të vendit, rreth 5 mijë të deklaruar dhe ndoshta po aq të padeklaruar. Tashmë të rinjtë nën 18 vjeç nuk e mësojnë italishten si më parë për shkak të televizioneve italiane. A mund ta furnizojnë shkollat profesionale këtë industri shërbimesh? A mund ta furnizojnë universitetet këtë kërkesë? Sa kohë që universitetet do të shtojnë numra duke shtuar papunësi, gjasat janë që arsimi i lartë të mos shërbejë si nxitës për zhvillimin ekonomik.