E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi i mesëm do të jetë i detyruar

26/10/2009  Ministria e Arsimit

“Gjatë këtij mandati qeverisës arsimi i mesëm do të bëhet i detyrueshëm”, - kështu ka deklaruar kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë analizës vjetore të drejtorisë arsimore të qarkut të Vlorës. Gjatë këtij takimi ministri ka treguar dhe pikat kryesore që do të drejtojnë vijimësinë e kësaj reforme, ku një ndër më të rëndësishmet mbetet ulja e numrit të nxënësve që braktisin shkollën, si dhe kthimin e arsimit të mesëm në arsim të detyruar. “Në bashkëpunim me pushtetin lokal, ne do të arrijmë objektivin e braktisjes së arsimit bazë në masën 0%, po ndihma duhet të jetë edhe për thithjen e nxënësve jo vetëm në arsimin 9-vjeçar, por edhe në arsimin e mesëm, duke e kthyer atë në një arsim të detyrueshëm”, - ka deklaruar ministri Tafaj. Duke folur mbi bashkëpunimin e ngushtë të dy aktorëve, ministri i arsimit theksoi se zhvillimi i arsimit duhet të ecë paralel me zhvillimin rajonal. Sipas ministrit, do të vazhdojë rikonstruksioni dhe ndërtimi i shkollave e kopshteve në të gjithë vendin. Ndërkohë është parashikuar që brenda vitit 2013 asnjë kopsht apo shkollë nuk do të jetë pa kushte e standarde bashkëkohore. “Decentralizimi dhe dekoncentrimi është një nga objektivat e kësaj qeverie, dhe kjo do të shtrihet në të gjithë sektorët. Modeli aktual është modern dhe po ecën në rrugën e arritjes së standardeve të vendeve homologe. Por ky model ka në filozofinë e tij bashkëpunimin e ngushtë dhe rritjen e rolit të pushtetit vendor”, - theksoi Tafaj. Ndërsa lidhur me zhvillimin e arsimit profesional ai ka pohuar se “arsimi profesional dhe bashkëpunimi i ngushtë i pushtetit vendor është i domosdoshëm për të thithur interesin e nxënësve dhe prindërve, të gjithë komunitetit për këtë arsim”. Në fund të analizës vjetore të drejtorisë arsimore të qarkut të Vlorës ministri i Arsimit siguroi mësuesit dhe drejtuesit se reforma arsimore do të vijojë më tej, duke vazhduar revolucionin e nisur të teknologjisë dhe informacionit në sistemin arsimor, statusin e mësuesit dhe rritjen e vazhdueshme të pagave, si dhe reformë në përmbajtje në ndryshimin e kurrikulave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›