Arsimi i mesëm jashtë vendit, rregullat e ekuivalentimit dhe regjistrimit në Maturën 2010
Zbardhen kriteret e ekuivalentimit dhe regjistrimit në Maturën Shtetërore 2010, për të rinjtë shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë vendit. Shtetasit shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit dhe kanë një diplomë të barasvlershme me Dëftesën e Pjekurisë të Republikës së Shqipërisë kanë të drejtë të vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Më tej, shtetasit shqiptarë, që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë publik duhet të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Shtetasit shqiptarë, që do të japin provimet e lëndëve me zgjedhje, duhet paraqesin për ekuivalentim në Ministrinë e Arsimit (Drejtoria e Kurrikulës dhe Monitorim, Vlerësimit) deri më 15 prill dokumentet e mëposhtme: kërkesën me shkrim për të vazhduar studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik; dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; fotokopje e noterizuar e pasaportës/letërnjoftimit ose certifikatë lindjeje me fotografi. Për të kryer këtë procedurë në Ministrinë e Arsimit do të ngrihet komisioni i posaçëm për ekuivalentimin e dokumentacionit të shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollat e mesme jashtë shtetit dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik. Komisioni i posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore të shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, ndjek hapat e mëposhtëm: bën përllogaritjen e notës mesatare të viteve të shkollimit dhe të notave të provimeve të detyruara D1 dhe D2 ose, në mungesë të këtyre të fundit, të notave përkatëse të këtyre lëndëve; përcjell zyrtarisht rezultatet e mësipërme në Komisionin e Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, ku shtetasi ka vendbanimin, brenda datës 30 prill. Komisioni i Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore ndjek hapat e mëposhtëm: cakton shkollën ku shtetasi do të kryejë provimet me zgjedhje dhe do të plotësojë formularët A1 dhe A2; përcjell pranë shkollave përkatëse notat që ka përcaktuar Komisioni i Posaçëm; dorëzon zyrtarisht dhe në formë elektronike në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) formularët A1 të plotësuar nga shtetasit dhe përmbledhësen e të dhënave të shtetasve sipas tabelës T, brenda datës 5 maj. Formularët A2 do të plotësohen nga shtetasit brenda muajit qershor, sipas afateve që do të vendos Ministria e Arsimit dhe duhet të dorëzohen në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore.
Vlerësimi i shkollave
Krijohet Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar
Krijohet Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, i cili do të jetë institucioni i posaçëm i inspektimit, monitorimit, vlerësimit e këshillimit të cilësisë së arsimit parauniversitar dhe funksionimit të strukturave menaxhuese të tij (shkolla, drejtori arsimore rajonale, zyra arsimore). Vendimi për ngritjen e Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar (IKAP) është marrë dje nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës. Sipas këtij vendimi, IKAP-ja do të jetë një person juridik, publik dhe buxhetor, në varësi të ministrit të Arsimit dhe selinë do ta ketë në Tiranë. Kryeinspektori i IKAP-së do të emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të ministrit të Arsimit. Kurse inspektorët do të emërohen nga kryeinspektori, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”. Marrëdhëniet e punës për këta punonjës do të rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Konkretisht IKAP-ja kryen këto funksione kryesore: Inspekton, monitoron, vlerëson, këshillon dhe nxjerr përfundime mbi zhvillimin e procesit mësimor-edukativ, menaxhimin e bazës materialo-didaktike të shkollës; Verifikon pajtueshmërinë e veprimtarisë të institucioneve arsimore me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, udhëzimet e ministrit të Arsimit dhe Shkencës për DAR/ZA-t dhe për institucionet shkollore; Monitoron problemet që paraqiten në shkollë me tekstin shkollor; Monitoron zbatimin e dispozitave normative të shkollës, kodit të etikës së mësuesit, punën e bordit të shkollës si dhe të organeve demokratike të saj; Inspekton zbatimin e rregulloreve të Maturës Shtetërore dhe Provimeve të Lirimit.
4 Shkurt 2010